Referencat dhe gjobat, biznesi kundër qeverisë
"Ndryshimet në Ligjin për Procedurat Tatimore janë periferike dhe të parëndësishme"
Sipërmarrja e vlerëson Ligjin për Procedurat Tatimore, goditjen finale nga ana e qeverisë
Ligji "Për Procedurat Tatimore" është goditja e fundit që po i jepet biznesit në vend. Kjo është deklarata e bërë nga të gjitha grupimet e sipërmarrjet që e vlerësojnë këtë ligj të miratuar nga qeveria, në kundërshtim me të gjitha principet e funksionimit të marrëdhënieve midis institucioneve të fiskut dhe sipërmarrjes. Projektligji është diskutuar gjatë ditës së djeshme në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, ku është ndryshuar një prej neneve të tij, që ka të bëjë pikërisht me kalimin e detyrimeve të administratorit të kompanisë. Opozita dhe mazhoranca kanë rënë dakord për të hedhur poshtë një koncept të ri, të futur në këtë draft nga ana e Ministrisë së Financave. Kalimi i borxheve të pronarit të një biznesi tek djali apo nipi i tij, në rast se ai nuk jeton më. Deputetët e komisionit kanë vendosur që borxhet të kalojnë tek partneri në biznes dhe jo tek njerëzit me afërsi gjaku. Në rastet kur biznesi është pa partner, atëherë kompania të shpallë falimentimin dhe më pas të kalohet në sekuestrimin dhe shitjen e aseteve, me qëllim shlyerjen e borxheve. Pas miratimit në parim të draftit, Komisioni parlamentar i Ekonomisë ka nisur shqyrtimin nen për nen të projektligjit. Biznesi ka kundërshtime të shumta për këtë draft, i mbështetur edhe nga opozita. Por sipërmarrja vlerëson se deri tani nuk është marrë asnjë nismë pozitive në drejtim të përmirësimit të draftit dhe ndryshimet e bëra gjatë ditës së djeshme në Komisionin e Ekonomisë, janë periferike për rëndësinë e këtij ligji.
***
Biznesi vlerëson se miratimi i këtij ligji në kushtet kur sipërmarrja nuk ka asnjë mundësi për të shkuar para gjykatës, sjell në këtë mënyrë keqësimin e frymës së bashkëpunimit shtet/biznes, aq i rëndësishëm sidomos për investimet prodhuese. Nga ana tjetër edhe vetë deputetët e maxhorancës kanë qenë dakord me faktin se, në këtë ligj ka mospërputhje me legjislacionin e ngjashëm të BE duke shtuar mundësitë për korrupsion nga institucionet fiskale. Ky draft i sjellë nga ana e Ministrisë së Financave ka dy kontradikta të mëdha, për të cilat sipërmarrja vlerëson se duhet që të ketë një ndryshim tërësor. Në nenet e këtij ligji vendoset tashmë në mënyrë të përgjithshme përdorja e metodave alternative për të vlerësuar bilancet e kompanive, pra, të ardhurat dhe fitimet e tyre. Në këtë mënyrë Administratës Tatimore i lind e drejta që të ndryshojnë çdo bilanc, në bazë të vlerësimeve të mundshme që mund të bëhen me çmimet e fiksuara tashmë që janë nxjerrë nga ana e Tatimeve. Nga ana tjetër, këto vlerësime nuk mundet që të apelohen në gjykatë, pasi Ligji i Gjobave bën që biznesi të paguajë detyrimin e nxjerrë 100% plus gjobën 15 për qind në parapagim. Gjithashtu, institucionit të fiskut i jepet e drejta e përdorimit të metodave alternative për llogaritjen e detyrimit tatimor, duke e lënë përcaktimin e rasteve se kur duhet përdorur krejt subjektive dhe të pakufizuar në numër (neni 71, neni 72) me mundësi të mëdha për subjektivizëm dhe korrupsion për t'i përdorur si bazë ligjore për gjobitjen e bizneseve. Por një masë e tillë vlerësohet si diskriminuese, ku nga ana tjetër e drejta e ankimit në gjykatë për bizneset është kufizuar praktikisht krejtësisht nga Ligji i Gjobave, vetëm pasi të paguhet detyrimi i pretenduar dhe i paprovuar ligjërisht nga institucioni i fiskut, plus 15% të gjobës. Biznesi, sipas draftit të ri, praktikisht mund të apelojë vetëm në Drejtorinë e Apelimit Tatimor një institucion me konflikt të qartë interesi dhe që merr plotësisht në praktikë të drejtat e gjykatës (neni106). Askush nuk jep zgjidhje se çfarë ndodh nëse biznesi i gjobitur pa të drejtë nuk do të ketë mundësi financiare të paguajë detyrimin e supozuar të institucionit të tatimeve për të marrë të drejtën e ankimit në gjykatë. Në një rast të tillë, biznesi i nënshtrohet sekuestrimit dhe mbylljes dhe askush nuk është në gjendje të provojë me paanësi nëse pretendimi i institucioneve të fiskut ka qenë i drejtë.