E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biletat e avionëve, shembull monopoli

Në shumicën dërrmuese të rasteve, dy udhëtime kushtojnë më lirë se një udhëtim. Monopol virtual në linjat e paraJavën e kaluar, ndërsa po kërkoja një biletë fluturimi nga Tirana për në Bruksel, vura re se, së paku tre kompani ajrore zotërojnë një monopol virtual në destinacionet e para, si Viena, Budapesti apo Roma. Kërkova në faqet web të këtyre kompanive dhe vërejta se një udhëtim nga Tirana në Vjenë, vajtje-ardhje, mund të kushtojë 450 euro, nëse nuk arrin të kapësh një biletë të kuqe, ndërsa po të udhëtosh Tiranë-Vjenë-Bruksel, çuditërisht bileta kushton më lirë, rreth 447 euro. Nëse udhëton në linjën Tiranë-Vjenë Londër, (dy udhëtime dhe një distancë tre herë më e madhe sesa linja Tiranë-Vjenë), bileta mund të të kushtojë 424 euro, ose shumë më lirë sesa të udhëtosh vetëm për në Vjenë. E njëjta gjë ndodh po të shohësh çmimet e ofruara nga "Malev". Për të udhëtuar për në Budapest, kushton 303.9 euro, ndërsa po të udhëtosh për në Bruksel, kushton 329 euro. Dukshëm, këto kompani shfrytëzojnë situatën monopol në të cilën operojnë në udhëtimet me një destinacion, ndërsa konkurrenca duket se shtohet vetëm kur bëhet fjalë për destinacionet e dyta. Konkurrencë e ashpërLogjikisht, për të udhëtuar për në Itali, duhet të zgjedhësh një linjë direkte, por praktikisht, mund të kursesh para duke i rënë nga Gjermania. Kur "Lufthansa" erdhi në Shqipëri disa vite më parë, njoftoi se do të ofronte çmime konkurruese për një numër të madh destinacionesh në Itali, përmes Munihut. Nëse e shikon në hartë, është e lehtë të thuash se është absurde që të udhëtosh 3 mijë kilometra, kushton më lirë sesa po të udhëtosh vetëm 700 kilometra. Megjithatë, në fushën e fluturimeve ajrore, kjo nuk është e çuditshme.

Nëse kërkon të udhëtosh nga Tirana në Romë, bileta mund të të kushtojë edhe 450 euro. Por nëse bën një xhiro dhe i bie nga Vjena, të kushton 410 euro. Konkurrenca për linjat italiane është e ashpër, veçanërisht për faktin se Italia zë më shumë se gjysmën e destinacionit ajror të Shqipërisë. Parimi i reciprocitetitTregu i fluturimeve ajrore në të gjithë botën ka qenë i prekur nga monopoli ose duopoli, për shkak se fluturimet ndërkombëtare rregulloheshin përmes marrëveshjeve dypalëshe të komplikuara dhe të kushtueshme. Kështu, nëse një kompani italiane vendos të udhëtojë drejt Tiranës, një kompani shqiptare duhet të kryejë të njëjtin numër fluturimesh.

Por gjatë viteve të fundit, Bashkimi Europian dhe SHBA-të kanë punuar për liberalizimin e këtij tregu, duke hequr kufizimet ligjore të reciprocitetit dhe duke ulur çmimet. Që nga viti 1994, kur Bashkimi Europian hapi kufijtë, një numër i madh kompanish me kosto të ulëta mbuluan pjesën më të madhe të tregut të kontinentit. "Ryanair", qe simboli i udhëtimeve me kosto të ulët. Çmimet e saj të biletave konkurrojnë koston e udhëtimeve me tren apo makinë. Në janar të vitit të kaluar, Bashkimi Europian nënshkroi Marrëveshje për Hapjen e Qiejve edhe me vendet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë. Për pasojë, nuk ka më kufizime në transportin ajror. Megjithatë, konkurrenca nuk duket gjëkundi. Autoriteti Konkurrencës nuk heton dotZyrtarë të Autoritetit të Konkurrencës, të pyetur nga "Shekulli", bënë të ditur se ky institucion nuk është në gjendje të hetojë shkeljen e konkurrencës në udhëtimet ndërkombëtare, për shkak se ky aktivitet kryhet jashtë kufijve të Shqipërisë, ndërsa vendimet e AK kanë vlerë ligjore vetëm brenda territorit shqiptar. Kjo e bën situatën të pashpresë, sepse teorikisht, një shkelje të tillë konkurrence duhet ta shqyrtojë Autoriteti Evropian i Konkurrencës, i cili nuk vepron dot, gjithashtu, për shkak se Shqipëria nuk është pjesë e BE-së.

Tregu i fluturimeve ajrore në Shqipëri shënoi më shumë se 1 milionë klientë gjatë vitit të kaluar. Xhiroja totale vlerësohet me mbi 300 milionë euro në vit.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›