Nishani: Emërimi i gjyqtarëve, sipas meritës
KLD shkarkon gjyqtarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, Xheladin Karkini
Këshilli i Lartë i Drejtësisë, gjatë mbledhjes së djeshme, vendosi miratimin me unanimitet datat 25 dhe 26 mars për zhvillimin e testimit për emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën Administrativë të Shkallës së Parë dhe të Apelit. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, njëherësh kryetar i këtij Këshilli, theksoi rëndësinë e vlerësimit të gjyqtarëve gjatë këtij procesi. “Unë e kam deklaruar herë të tjera dhe ndihem shumë mirë sepse kam marrë të njëjtin qëndrim dhe impakt nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që procesi i mbështetjes dhe i gjykimit të karrierës së gjyqtarëve tanë, të bëhet në një bazë transparente, ligjore dhe të merituar”, tha Presidenti Nishani.
Kreu i Shtetit theksoi se “jemi të vendosur jo vetëm për të realizuar një proces transparent, një proces tërësisht të bazuar mbi kriteret ligjore, por një proces i cili dominohet nga meritat e çdo gjyqtari të Republikës”. Ky Këshill ka shansin e madh për ta konsoliduar këtë proces”, tha ai.
Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhanë mesazhin se publikimi i pyetjeve të testimit në faqen zyrtare të KLD-së, duhet të bëhet në mënyrë që procesi të jetë transparent dhe i besueshëm.
Ndërkaq, po dje Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi me unanimitet, miratimin e kërkesës së Ministrit të Drejtësisë, për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Elbasan, Xheladin Karkini. Në shtator të vitit të kaluar, gjyqtari Karkini u përfshi në një konflikt fizik me avokatin Bujar Dyrmishi, pas vonesës në zhvillimin e një seance gjyqësore në Gjykatën e Elbasanit. Si pasojë e kësaj situate, në Gjykatën e Elbasanit u ndërprenë për 90 minuta të gjitha seancat.
Sikurse bënë të ditur burime zyrtare të KLD, gjatë shqyrtimit të rastit në fjalë, Presidenti i Republikës dhe anëtarët e Këshillit e konsideruan të papranueshme ekzistencën e rasteve të tilla, ku vetë gjyqtarët bëhen pengesë në dhënien e drejtësisë për qytetarët.
Shkarkimi i gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, Xheladin Karkini, është rasti i dytë në një hark kohor prej 3 muajsh, pas shkarkimit të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, Neritan Tabaku.