PS: Policia e Shtetit po keqpërdoret
Partia Socialiste reagoi dje pas zhvillimit të protestës së vendorëve socialistë, duke akuzuar drejtuesit se po keqpërdorin Policinë e Shtetit. Rreshtimi i shumë forcave të policisë pas vendit ku ishin krerët e bashkive dhe komunave është parë me sy jo të mirë nga selia rozë. Zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj, tha se "PS-ja shpreh indinjatën e njëkohësisht keqardhjen për keqpërdorimin e Policisë së Shtetit në tubimin e bashkive e komunave ku qeverisin të zgjedhurit socialistë e progresistë". "Vendosja e tre rreshtave me policë në shkallët e Kryeministrisë dhe këmbëngulja e drejtuesve të policisë për të mos lejuar vendosjen e kërkuar nga organizatorët, duke provokuar të pranishmit, si dhe qëndrimi i uniformave në kurriz të kryebashkiakëve e kryekomunarëve opozitarë, ishin shprehje të padenja për Policinë e Shtetit", tha ajo.