E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kultura e policit

Nga aktiviteti i përditshëm normal që kryen çdo njeri e kupton se gjendja në trafikun rrugor nuk po gjen shteg për të dalë në rrjedha normale. Të gjithë qarkullojnë, lëvizin në këmbë, biçikleta e makina. Ngecin në trafik me orë, përjetojnë zhurma e potere, shohin në kanale televizive ngjarje që dita-ditës po u ikin nga "duart" edhe kronikave të zeza. Nuk do shumë sforcim ta kuptosh se e gjitha kjo ka zënë vend në atë fole që tashmë etiketohet si normalitet, ka krijuar një lloj imuniteti, duke u parë si diçka e ditës, krejt normale dhe larg jetës sime. Makinat shtohen, qyteti si basen vjen çdo ditë në fryrje e zgjerim të paparashikuar, hyrjet e daljet mbeten po ato. Vijat e rrugëve nxihen nga gomat dhe me lupë nuk i gjen dot, ngjyrat e semaforëve pluhurosen aq sa duhen picërruar mirë sytë të gjesh se kujt kahu duhet me iu sjellë. Studime e strategji me bollëk, konferenca e referate pa fund, të gjithë thonë e thonë, japin kahe e drejtime, botojnë fletushka e pankarta, drejtojnë gishtin diku ku e shohim më të kollajtë e pa qeder. Në tërë këtë peizazh rrugor vëren se çdo ditë rritet e shtohet prania e policisë rrugore, e cila me sfilitje e mund, me duar e bilbila, në zheg të vapës e në det të pluhurit rreket të "devijojë" këtë rrjedhë që veç nga veshët nuk dëgjon më. Me dhe pa të drejtë, në këtë amulli e drejtojmë fajin nga jeleku fosforeshent, duke harruar se të gjithë jemi aktorë të kësaj telekomedie, që luhet çdo ditë nëpër rrugët e metropolit që po i avitet milionëshit. Teoritë e etikës e sjelljeve, qëndrimeve që njerëzit manifestojnë në çdo hap, e shkruajnë se këto janë vlera që edukohen çdo ditë, prej shëtitjes në krahët e prindërve e deri në ngarje të timonit mbi një mjet motorik. Do të qe vogëlsi shpirtërore ta mohoje përshtatjen që njerëzit kanë pësuar nga ndryshimet e pamenduara më parë, që kanë ndodhur në rrugët tona. Po mesa duket nuk mjaftoka, kërkon më shumë, lyp diçka më tepër, shikim më të largët dhe padyshim zgjidhje që do t‘u rezistonin kohëve, që nuk e dimë ende se ç‘do na sjellin. Radhitësit e shifrave na thonë se kemi ende numër të vogël makinash, në dhjetë tiranas një syresh ka mjet motorik. Heqësit e vizave mbi harta nuk reshtin së shkruari pallate me kate sa s‘numërohen dot. Nuhatësit e tregjeve rendin të ngulen atje ku asfaltin e kalojnë më shumë goma makinash. Kërkuesit e një jete më të mirë shikimin e mbajnë përditë mbi qytetin në fryrje të vazhdueshme, në pritje të momentit të volitshëm financiar për të lëvizur. Negociatorët e kërkojnë si detyrë rrugën të njëllojtë me të tyren, të pastër, me vija të bardha e bojë të verdhë. Ja që i duan trotuaret të lira për kalimtarët. Pse jo edhe tabela që të thonë as më pak e as më shumë se çfarë dhe se nga duhet të shkosh, paçka mendjes. Pale medoemos edhe semaforë që marrin frymë dhe që dallohen që tutje çfarë thonë.

Kuptohet ca kamera, radarë si gjurmues të rregullit për të marrë në shenjim ata që e shkelin, qoftë me një apo edhe të dyja këmbët. Aparate "apolitike"‘ që ta sellojnë nga pas më ta shkelur vijën, tamam si tek ata nga kërkojmë ne të vemi me lutje e mall. Këto të pa ardhura ende, por që një ditë duam s‘duam do ulen këmbëkryq mes nesh e kanë të nevojshme një sjellje më normale prej të gjithë atyre që quhen përdorues të rrugës. Më së shumti ndryshimi bie te rrugëbërësit, nikoqirët që e pastrojnë çdo ditë, pronarët e vërtetë të trotuareve, ndriçuesve, semaforëve e vendkalimeve për të pamundurit. Normalizimi në trafik nuk kërkon as më shumë e as më pak asaj ç‘kanë bërë ato vende që na presin të shkojmë.

Ka shumë mund po nuk është zgjidhje ajo që ne shohim çdo ditë, shtimi i pranisë së jelekëve fosforeshentë në kryqëzime e semaforë. Deklarohen me pompë se u vunë kaq fletë gjoba në fshirëset e xhamave, e kalikiç sa makina i fluturuan në vendgrumbullim. Por çfarë?

Kokëfortësia për ta lypur zgjidhjen në kahe të pavolitshme nuk sjell tjetër veç ambientimin me këto masa shtrënguese, ato përjetohen si pjesë apo racion i ditës, bëjnë vend dhe krijojnë sjellje që e vështirësojnë zgjidhjen reale. Për pasojë rritet nervozizmi nga të gjitha palët, duke bërë as më shumë e as më pak largimin e ditës që do të quhet trafik normal. Më shumë policë rrugorë edukojnë te publiku një lloj kulture që nesër do të duhet shumë mund për ta çrrënjosur. Kultura e pranisë së policit në çdo cep e udhëkryq, krah tre ngjyrave të semaforit po i bën dëm qarkullimit rrugor, pasi ajo ia ngushton arteriet e lëvizjes normale në qëllim të plotësimit të nevojave ditore. Janë shumë, tepër gjëra në pritje të zgjidhjes, por ca që duken së largu e kanë më me padurim bërjen. Kulturën e policit si prani apo dhe të vetmin zgjidhës të kaosit që kemi bërë vetë çdo ditë e çngjyrosin qasjet e sjelljeve normale që do të orientonin përdoruesit e rrugës drejt vlerave reale dhe jo masave shtrënguese me tepri. Një transport publik për qytetarë dhe jo për ata që s‘kanë makina, korrigjimi i senseve të qarkullimit, me synim krasitjen e lirisë pa anë, që kanë mjetet në rrugët e kryeqytetit. Orientimi i tregjeve me kamje të madhe përtej atyre vijave që quhen unaza e qytetit po edhe ca të tjera, me siguri që do t‘i zgjeronin kapilarët e qarkullimit në rrugë dhe pa as mëdyshjen më të vogël, konturimin e një kulture me qytetarë dhe me përshtatje për kohët me prurje të mëdha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›