Mbërrin në Tiranë hartuesja e rezolutës për vizat
Mbërriti dje në Shqipëri eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, e cila hartoi rezolutën për liberalizimin e vizave për Ballkanin. Dje, zonja Fajon është takuar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta. Shefi i diplomacisë shqiptare e cilësoi këtë nismë të suksesshme dhe paraqiti një tablo të përditësuar të plotësimit të kushteve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave nga Shqipëria. Fajon shprehu angazhimin e vazhdueshëm dhe konfirmoi vullnetin e Parlamentit Europian dhe institucioneve të tjera komunitare për të proceduar sa më parë me marrjen e vendimit për heqjen e vizave për qytetarët tanë. Fajon është e ftuar të marrë pjesë në konferencën e titulluar: "Regjimi pa viza për Shqipërinë - hapat e fundit", e cila do të zhvillohet më datë 16 nëntor në bashkëpunim mes MPJ dhe shoqërisë civile.