E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bojkoti si refuzim demokracie

Me refuzimin e Kuvendit të Shqipërisë, ku ajo ka 66 deputetë dhe duke kërkuar prej këtij institucioni, që ajo nuk e njeh, të ngrejë një komision hetimi për procesin e zgjedhjeve të 28 qershorit, Partia Socialiste vendosi në skenën politike shqiptare një komedi të paparë më herët. Tani, me artikulimin e saj për probleme të ditës, PS mundohet që komedinë ta zëvendësojë me një dramë, në fakt, gjithë ç‘mund të dalë prej saj është diçka më e keqe se kaq.

Konflikti i pronave në Orikum apo diku tjetër, problemi i rritjes së çmimit të energjisë, ngjarja e shëmtuar ku u rrah një gazetar, apo çështje të tjera që PS ka artikuluar përmes deklaratave të shtypit kohët e fundit, kanë rëndësinë e tyre specifike, por asnjëri veçmas nga këto probleme dhe as të gjithë së bashku nuk mund të barazohen ose të lënë nën hije problemin themelor politik të Shqipërisë: bojkotin.

Partia Socialiste nuk mund të kërkojë të mbrojë të drejtat e grupeve apo individëve të ndryshëm, ndërkohë që ajo nuk respekton të drejtën e votës së thuajse gjysmës së votuesve të Shqipërisë. Zgjedhësit që e votuan PS-në nuk e bënë këtë që ajo të rrijë jashtë Parlamentit e të artikulohet me deklarata shtypi, por të futet në Kuvend dhe të merret me veprimtari politike aktive. Me deklarata shtypi, në pamundësi për rrugë të tjera, mund të veprojnë partitë joparlamentare.

Bojkoti nuk është një e drejtë demokratike, pavarësisht se dikush mund ta justifikojë edhe kështu mendjelehtësisht. Bojkoti është dhunë e pastër. Refuzim total i demokracisë, me mjete të ndryshme nga regjimet totalitare.

Duke mos shkuar në Kuvend, opozita nuk dëmton vetëm punën e Kuvendit, por i krijon vetes një imazh negativ si forcë politike që refuzon demokracinë.

Çështja e numërimit të votave ka marrë zgjidhje nga gjykata dhe nuk është më problem politik. Për çdo pakënaqësi të saj, opozita tashmë duhej t‘u ishte drejtuar gjykatave dhe të vazhdonte punën normalisht në Kuvend. Ndoshta edhe duke ndihmuar me votën e saj në miratimin e ligjeve për reformimin e gjyqësorit.

Duke qëndruar jashtë Kuvendit, opozita kujton se dëmton mazhorancën, por e ka gabim. Është e vërtetë që puna e Kuvendit është frenuar për shkak të bojkotit, por kostot reale bien mbi shoqërinë që do të përfitonte prej saj dhe politikisht mbi opozitën.

Tani mazhoranca parlamentare nuk mund t‘i kalojë ligjet që kërkojnë 84 vota, por ajo mund të mos i kalonte edhe me opozitën brenda, nëse PS merrte vendim që të votonte në bllok kundër. Frika e kryetarit të saj, nëse ekziston, se mos deputetët e tij nuk i binden vendimit të grupit parlamentar, nëse PS hyn në Kuvend, nuk duhet të ekzistojë. Deputetët e tij, nëse do të kishin dashur të minonin punën e partisë së tyre, mund ta kishin bërë këtë gjë deri tani, duke shkuar në Kuvend. Më shumë se vendimi i partisë, ata i ka frenuar vetëdija e tyre organizative partiake.

Refuzimi me kokëfortësi i vërejtjeve të ndërkombëtarëve është një veprim që do të ketë pasoja afatgjata për vetë PS-në dhe sidomos për kryetarin e saj.

Reagimin e faktorit të jashtëm nuk duhet ta shikojmë me indiferencë dhe as ta zvogëlojmë nisur nga fakti që problemet e brendshme janë problemet tona. Nëse Tirana kërkon të jetë aktor dinjitoz në politikën rajonale apo më gjerë, atëherë të huajt kanë të drejtë të kërkojnë prej saj një partner serioz, përndryshe, e humbur është vetëm Shqipëria.

Brukseli është shprehur qartë, me të gjitha mënyrat e mundshme, me eurodeputetët dhe ambasadorët e vet në Tiranë.

Eurodeputetët, të djathtë e të majtë, nuk kanë fjalë pozitive as për bojkotin dhe as për hapjen e kutive të votimit që kërkohet nga PS. Këshilla e tyre është që bojkoti duhet të marrë fund.

"Hapja e kutive është çështje e rrezikshme", u shpreh eurodeputeti i majtë, Kristian Vigenin, javën e kaluar në Bruksel. "Duhet të ketë sjellje të përgjegjshme si nga qeveria, dhe nga opozita, për të zgjidhur situatën, sepse kuptohet që kjo çështje nuk mund të zgjasë me vite, përjetësisht".

"Nëse ata (socialistët) janë brenda Parlamentit, mund të kërkojnë ç‘të duan, por nuk mund të kërkojnë rihapje të kutive. Kjo nuk është e mundur, sepse zgjedhjet janë vlerësuar si të drejta e korrekte dhe ky kapitull është mbyllur", u shpreh në të njëjtën ditë eurodeputetja e djathtë, Doris Pack.

Disa ambasadorë eruropianë u shprehën saktësisht në të njëjtën linjë disa ditë më vonë në Tiranë.

"Rruga e kompromisit duhet ta zgjidhë situatën dhe ky kompromis duhet dhënë nga të dyja palët", u shpreh ambasadori gjerman në Tiranë, Berndt Borchardt, në një takim të enjten e kaluar.

"Shqipëria duhet të futet në procesin e reformave të brendshme të vendit, ku një nga më të rëndësishmet është reforma në drejtësi. Ligjet duhet të adaptohen nga shumica në Parlament dhe ato nuk mund të miratohen pa praninë e opozitës", tha ambasadorja e Çekisë, Marketa Fialkova.

"Ju duhet t‘i zgjidhni vetë problemet tuaja, e jo të prisni ndërhyrje nga jashtë," u shpreh ambasadori i Austrisë, Florian Rauning.

Ndërkohë, nga ana e opozitës shqiptare nuk ka asnjë shenjë reagimi në lidhje me këtë çështje. PS vazhdon të japë deklarata shtypi e të organizojë seminare për çmimin e energjisë.

Nëse opozita nuk përpiqet të gjejë zgjidhje, duke hequr dorë nga kokëfortësia e saj për hapjen e kutive, shumë shpejt ajo do të gjendet përpara situatash edhe më të vështira.

Sipas Kushtetutës, mandati i deputetit digjet nëse ai mungon pa arsye në Kuvend. Në rastin e socialistëve, kur kandidatët e saj fitues në Kuvend nuk kanë bërë betimin, atëherë ata nuk janë deputetë dhe pas gjashtë muajsh Kuvendi mund të fillojë procedurat për t‘i zëvendësuar.

Çfarë do të bëjë PS-ja kur Kuvendi të respektojë ligjin?

Gjërat nuk duhen lënë që të arrijnë në këtë pikë. Komedia e sotme në të ardhmen mund të kthehet në një nyjë që vetëm përdorimi i shpatës mund të duket si rruga më racionale për ta zgjidhur. Kjo do të ishte tragjedi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›