Arratisja spektakolare nga komisariati, kapet 29-vjeçari në selinë e PS-së
Tiranë- Policia e Tiranës ka bërë sot arrestimin e 29-vjeçarit Orges Nilo, i cili u arratis dje në ambientet e komisariatit nr.1, duke u hedhur nga kati i tretë. Mësohet se ai është gjetur në selinë e Partisë Socialiste.
Por pak minuta më pas reagoi kjo e fundit e cila tha se personi në fjalë ishte shtrirë në hollin e godinës dhe ishin punonjësit e PS-së ata që lajmëruan policinë, duke thënë se nuk kanë pasur asnjë lidhje me të ndaluarin.
“Sot në orën 13.30 një e selinë e Partisë Socialiste ka hyrë një i ri i dëmtuar fizikisht me plagë të dukshme dhe në gjendje tejet të rënduar mendore. Pasi ka këmbëngulur të hyjë në ambientet e brendshme të selisë, i riu është shtrirë në hollin e selisë ku dhe është ndalur nga personeli përkatës, të cilët kanë njoftuar Policinë e Shtetit në numrin 129. Po ashtu është lajmëruar nga personeli edhe shërbimi i urgjencës. Është e turpshme që ky rast përdoret politikisht nga Policia e Shtetit. Edhe në këto ditë të fundit të fushatës Policia e Shtetit përfshihet në lojëra të turpshme politike duke bërë insinuata të tilla. Ashtu siç është e turpshme paaftësia e kësaj policie të cilës i arratisen të arrestuarit nga rajonet. Ne kemi bërë vetëm detyrën tonë, duke telefonuar policinë dhe shërbimin e urgjencës”,- shprehet PS-ja.
Pas kësaj reagoi edhe Drejtoria e Policisë, e cila ka falenderuar punonjësit e Partisë Socialiste për bashkëpunimin, të cilët njoftuan forcat e rendit.
Orges Milo ishte arrestuar me akuzën e vjedhjes dhe ishte në pritje të masë së sigurisë, por gjatë marrjes në pyetje nga prokurori ka mundur të hidhet nga kati i tretë i godinës, më pas ka kapërcyer murin rrethues me kangjella dhe është larguar në drejtim të rrugës ‘Hoxha Tahsim’.