Arratisje nga Normaliteti
Menjëherë pasi u godit Berluskoni, lajmi se ekzekutuesi ishte "i çmendur" i qetësoi të gjithë. Në fakt vetëm një "i çmendur" mund të godiste një burrë si Berluskoni. Vetëm një "të çmenduri" mund t‘i shkonte në mëndje të afrohej deri 140 cm afër fytyrës së kësaj qenieje 140 cm, dhe të besonte që do kish aq "nishan".
Mbi shënjestrën e shtrenjtë berluskoniane, pikërisht në mes të fytyrës, u përplas imitimi i Duomos së Milanos, duke shkaktuar thyerje. Nga njëra anë u plagos Kryeministri i Italisë, e nga tjetra u thye dhurata prej të paktën 20 eurosh që Massimo Tartaglia mbante në xhep.
"Duomo" fatkeqësisht goditi një copë nga hunda prej çeliku të presuar, si dhe dy dhëmbë me përmbajtje nga një material që ende nuk njihet në tokë. Skulptura tanimë e dëmtuar fluturoi në mes të 100 rojeve të armatosur me çdo teknologji të mundshme për të cenuar dy dhëmbë nga proteza më e shtrenjtë në botë. Për "dhuratën" në formën e kishës nuk foli më askush. Massimo Tartaglia duhet të ishte realisht i çmendur që theu dhuratën e tij në fytyrën e një burri si Silvio.
Ky i çmendur do paguajë përsëri për ato dhëmbë që kishte kontribuar mesa kishte pasur fuqi për 41 vjet të jetës së tij prej të çmenduri.
I çmendur duhet të ishte që vendosi që ato copa kockash, sigurisht mall origjinal, t‘i paguante edhe një herë vetëm për të hequr "fiksimin" e një çasti. Fatura do të jetë arsyeja e vërtetë pse ky njeri do të pendohet aq sa s‘do të ketë psikolog që ta rikuperojë.
Berluskoni nga ana e vet ishte me fat, se po të imagjinojmë për një çast se Tartaglia "pazzo" siç është, të kishte zgjedhur një vepër origjinale për ta thyer në fytyrën e Presidentit të Milanit? Italianët që unë njoh nuk do t‘ia falnin kurrë; Berluskoni nuk është as "i çmendur".
Nëse do të kishte goditur Berluskonin përpara shpikjes së Tv me një vepër arti (të themi një copë nga Davidi i Mikelanxhelos) Tartaglia do të ishte një kriminel i turpëruar dhe nga vetja e tij. Të cenohej një vepër arti për të goditur një imitim si Berluskoni, do të ishte cenim i genit më të mirë të popullit ngjitur me ne. Ndoshta dhe Tartaglia nuk është aq i çmendur sa duket. Ai vërtet qëlloi me sa forcë që kishte mbi Berluskonin, kopje e keqe e vetvetes, por përdori një imitim të Duomos së Milanos.
Nëse dua të mendoj keq për Tartaglien çfarë duhet të supozoj; se Tartaglia "i çmenduri" ndoshta nuk sheh Tv; se Tartaglia ndoshta s‘e di vërtet që Berluskoni është njeri me vlera; tifoz me Milanin; njeri që do të huajt; paguan taksat; nuk njeh asnjë mafioz; nuk e ka kthyer shtetin italian në një biznes të familjes; nuk ka paguar askënd për të vrarë të tjerë; qan; qesh si të ishte i vërtetë...
Ivi i 21-shit sigurisht ishte i çmendur. Në vitet ‘80 Ivi nuk ishte një i çmendur normal. Ai ishte i "çmenduri". Patjetër që posedonte një "kartelë" prej vitesh. Kjo veti e bënte Ivin "e çmendur" të mbante pa siklet model pank të flokëve. Ngjyra e kuqe dhe krifa si gjel e bënin të binte në sy nga çdo cep i shëtitores "Dëshmorët e Kombit". Në atë kohë, të gjithë vinin buzën në gaz. Ivi ishte me "kartelë" dhe kjo e lejonte që rregullisht ai të shante sistemin komunist pa teklif; siç u pa ai nuk pati asnjë nga pasojat e kundërshtarëve të tjerë të sistemit komunist në qytet. Ivi vishej me xhaketa meshini dhe kambale të zbërthyera. Ivi dëgjonte muzikë pank. Ivi pinte alkool dhe hidhte shishe nga ballkoni. Ivi nuk merrte pjesë në pastrimin e ditës së diel. Ai nuk dilte kurrë në aksionet për të ndërtuar yje në bar, tek-tuk në mes shkruhej Enver pa asnjë shkak. Ivi blinte nga të huajt e ambasadave çamçakëz me flamurë të skuadrave të futbollit dhe i shiste sa të donte vetë. Ivi jetonte për bukuri. Ivi nuk bënte zbor. Ai shpesh vinte vërdallë me të dashura të huaja, duke tronditur çdo besnikëri të mundshme. Jeta e tij ndikoi dukshëm te rritja e numrit të "kartelave" për të çmendur në mesin e viteve ‘80.
Ivi duke u çmendur kishte gjetur hapësirën e vet të lirisë brenda një sistemi që nuk linte hapësira lirie për mendimin. "Të çmendurit" nuk mund ta trembnin komunizmin. Pesha e mendimit të një njeriu me probleme mendore ishte dhe ngelet inferiore nga ajo e njeriut me statusin e normalit. Kjo nuk e pengon të çmendurin të mendojë. Nga ana tjetër pengon sistemin që të merret seriozisht me të. Një sistem serioz do të humbte pikë nëse luftonte me budallenjtë e tij.
Dukej sikur komunistët e shijonin të tallurën që i bëhej Ivit, pa vënë asnjë çast veten në pikëpyetje.
Historia tregoi se pas Ivit në Ambasadën Gjermane u futën mbi 1000 vetë aspak punk. Nga të gjithë të arratisurit, vetëm i çmenduri dinte të komunikonte me botën tjetër. Evidente që dhe gjermanët e Klinsamnit ishin me "kartelë". Flokët e kuqe të Ivit nuk bënin më askënd të qeshte. Ivi ishte e vetmja mënyrë për të folur.
Çudi ishte se gjermanët e ambasadës në fillim gjetën me të integruar "kartelat" plot çmenduri kundër dhunës përpara se të integronin normalët e sistemit. Po a kishin faj normalët............?
...
Nuk më vjen keq që Berluskoni u godit. Berluskoni ka faj direkt që media, edhe te ne përtej Adriatikut, është një mjet presioni në duart e pronarëve. Media ka humbur funksionin e saj publik dhe është kthyer biznes agresiv. Më shumë se një mjet informimi, i ngjan një ushtrie propagande. Berluskoni është fajtor që në Itali pushteti i gjyqësorit ka humbur forcën e tij. Berluskoni po bën anti-revolucionin që do ta kthejë Italinë në kohën e zymtë të monarkisë. Të gjitha përpjekjet e doktrinarëve, që nga viti 1080, kur u themelua në Bolonjë Fakulteti i parë i së Drejtës, po shkojnë dëm në emër të pushtetit pafre të një njeriu. Nuk më vjen keq që ky njeri ndjeu dhimbje fizike për pak çaste. Ashtu si nuk më vjen keq që Duçja u var kokëposhtë. Askush nuk u shty të ankohej për shumë vite me radhë për këtë veprim barbar. Më vjen keq që asgjë nuk është kuptuar nga këto veprime përtej të lejueshmes. Nuk na duhet të kuptojmë më nëse duhet të rezistojmë ndaj diktaturave. Na duhet me urgjencë të kuptojmë format moderne të shtypjes. Me eksperiencën tonë si popull, dimë se sa më shumë njerëz janë dakord me një veprim ose jo veprim aq më të rrezikuar, jemi në thelbin e asaj që duam me të vërtetë.
Lirinë deri tani duket e kanë mbrojtur vetëm njerëzit me "kartelë". Ne që jemi kaq normalë, nuk do të përzihemi kurrë me veprime të dhunshme, paçka se po dhunohemi.