E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejt fundeve.... ‘Për kë bien kambanat?‘

Më 2009-n po mbyllet dhe një rrugë e gjatë tranzicioni e rendit botëror. Mbas shembjes përfundimtare të perandorive dhe zëvendësimin e tyre me shtet-kombet rendi botëror po pëson një valë të dytë ndryshimi. Kjo ka lidhje dhe me vetë zhvillimet e ekonomike e industriale që qëndrojnë në themelet e zhvillimit të shtet-kombeve. Forcat ekonomike e zhvillimet industriale që atëherë kërkonin ‘parcela‘ kombëtare tani i kërkojnë globale. Infrastruktura ku po ndërtohet rendi i ri është e zhytur në dinamikat e globalizmit. Dinamika që duke sulmuar shtet-kombet forcojnë mikro-identitet, mikro-ekonomitë dhe lokalizmat. Nga ana tjetër disa dinamika të tjera përshkojnë shtet-kombet duke bashkuar mikro-kulturat në bashkësi më të mëdha ku është neutralizuar forca homogjenizuese e shtet-kombeve. Zhvillimet më të fundit në Bashkimin e Europian na sinjalizuan më qartë për formë që po merr rendi i ri botëror; shtetet-perandori ose super-shtet. Kina, India janë shembujt më klasikë të kësaj. Shtetet e Bashkuara, Federata Ruse gjithashtu. Në këtë infrastrukturë botërore është e pamundur që secili shtet europian të dalë si aktor më vete prandaj në emër të ruajtjes të forcës së secili BE bëri hapin themelor drejt një super-shteti. Dy çështjet më të kontestuara ndërmjet shtet-kombeve europiane përfaqësimi në figurën e një përfaqësuesi të përbashkët në rangun e presidentit dhe bashkimi i politikës së jashtme nën përfaqësinë e një personi u zgjidhën me miratimin e gjithë shteteve anëtare. Këto dy janë elementet kryesore që bëjnë një shtet. Me vendimet e fundit Europa e tregoi se është e vendosur drejt kësaj. Forma dhe kufijtë e këtij shteti i interesojnë drejtpërdrejt Shqipërisë, e cila momentalisht është jashtë kufijve të këtij super-shteti në konsolidim. Duke qenë në konsolidim ky super-shtet nuk ka zgjidhur akoma disa dilema të tij. Më e rëndësishmja lidhet me identitetin. Deri ku identiteti do të marrë ngjyrime multi-konfesionale. Deri ku mund të përfshihen kultura e sub-kultura që jo gjithnjë janë mbajtur si europiano-perëndimore. Në këtë kuptim, Turqia është një provim shumë i vështirë për Europën. Kjo ka lidhje sa me pozicionimin e Turqisë sa me atë të vetë Europës. Nga një vend në pritje të vendimeve europiane Turqia vendosi të shndërrohet në vendin që vendos vetë raportet me Europën. Në vendin që nuk kushtëzon më politikën e vet në funksion të BE, por formon një politikë të vetën indipendente. Kjo politikë ndryshe nga politikat e mëparshme nuk është e paraprirë nga shqetësimi se turqit duhet të jenë në Europë dhe duhet të forcohet ajo pjesë e identitetit të tyre që është europiane. Politika duket sikur ka në qendrën e saj konsolidimin e Turqisë si aktor në rendin e ri botëror. Duke pasur parasysh dinamikat e brendshme të Turqisë dhe traditën historike të lidhur ngushtë me këto tradita kjo është e mundur. Gjithsesi, akoma për t‘u provuar e për të parë nëse bëhet fjalë për një lëvizje drejt një perandorie të re osmane, siç thoshte me të drejtë dhe Arbër Xhaferri, apo një formulë tjetër. Ky proces në vazhdim do të ndikohet sa nga reagimet europiane drejt islamit sa nga përballja e forcave në Lindjen e Mesme.
Gjithsesi, ajo çfarë na intereson në këtë lojë të të mëdhenjve është vendi ynë mjaft i vogël në krahasim me përmasat e shteteve për të cilat flasim. Dhe ky vend, ka disa dizavantazhe të cilat historikisht kanë vulosur për keq fatin e qytetarëve të tij. Qenia e një vendi nëpër të cilin mund të kalojnë kufijtë ndarës, domethënë e një vendi që ndikohet drejtpërdrejt nga përfundimet e lojës të së mëdhenjve. Rrjedhimisht, ngelja në periferi siç është çdo zonë kufitare. Kjo vështirësi kthehet në fatkeqësi kur kombinohet me keq-menaxhimin e vendit dhe potencialit të tij. Zëri i individëve brilantë të këtij vendi është mbytur gjithnjë nga lider largpamësia dhe interesat e të cilëve ishin deri tek oborri i shtëpisë së vet. Lider që me shpjegimin krejt të saktë të një historiani italian ‘kurrë nuk thonë çfarë mendojnë, janë të prirur nga intriga dhe intrigat e tipit klanor drejtojnë politikat e zgjedhjet e vendit‘. Përsëri e njëjta gjë çfarë po ndodh edhe sot në Shqipëri. Një njeri që nuk mund të jetojë pa intrigën, manipulimin e mashtrimin po e rikthen atë jo vetëm në natyralitetin e jetës së vendit, por dhe në incentivën kryesore që drejton politikat e tij. Në një moment kur po kristalizohet rendi i ri botëror dhe në fakt po vendosen fatet e shumë vendeve ne kemi fatkeqësinë të drejtohemi nga një mendje intrigante, mashtruese, superegoiste e dritëshkurtër. Në një moment kur na duhet shumë profesionalizëm ne drejtohemi nga qeveria e të shpërblyerve. Në një moment kur na duhet detyrimisht zgjedhje të lira për të kuptuar ku duan të pozicionohet qytetarët e këtij vendi u bënë ca palo zgjedhje. Në një moment kur na duhet një qeveri që t‘i tregojë këtij populli rrugën për më tej, ne kemi një qeveri që merret vetëm me sharje, shpifje, llafe pa sens apo mitingje. Në një moment kur na duhet të kemi personalitet në të gjitha prezantimet ndërkombëtare ne përfaqësohemi nga njerëz që natyralisht kanë gjuhë vagabondale. Në një moment kur administrata duhet të punojë ditë e natë atë vetë shefat e saj e çojnë me hir apo pa hir në miting.
Derisa jemi në minoritetin e ngelur jashtë kufijve europianë domethënë nuk kemi bindur njeri se duhet të jemi aty. Është kjo qeveri që nuk e bindi dhe nuk besoj se ka njeri që mendon se me këtë farë soj drejtimi kemi ndonjë mundësi të bindim kënd. Ato që mendojnë se e ka fajin opozita duhet të heqin dorë nga iluzionet ose besimi në këtë mashtrim. Opozita mund të ketë problemet e veta, mund të kritikohet për shumë gjëra, por një vend e prezanton qeveria, administrata, sjellja e tyre, insistimi i tyre në profesionalizëm dhe forca për të menaxhuar situatat. Nëse është opozita që vendoska për fatet e vendit apo e bllokuaka atë atëherë për çfarë kemi qeveri. Ti lejë detyrën opozitës që t‘i zgjidhë ajo meqë është e plotfuqishme. Ne mund të humbin shumë kohë për të zgjidhur intrigat që janë ulur këmbë e kryq në të përditshmen shqiptare. Mund të jemi instiktivisht të bindur a mundohemi të bindim veten se "Maliqi" mund ta bëjë këtë vend, por po bien kambanat.... Kambanat po bien për një rend të ri botëror. Kambanat po bien për secilin vend që të vendosë fatin e tij. Kambanat po bien për të gjithë ato që duan t‘i dëgjojnë. Kambanat po bien që ne të bindim Europën të jemi brenda atyre kufijve që janë akoma të pavendosur. Kemi paguar shtrenjtë të qenurit urë mes asaj apo kësaj. Le të gjejnë kë të duan ta bëjnë urë apo kufi, vendi im e ka vendin në Europë. Dhe vendi im duhet ta kuptojë tashmë se pavarësisht si vishet a ku shkon, "Maliqi" dhe Europa janë dy gjëra diametralisht të kundërta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›