Meta: Mbështesim Malin e Zi për në NATO
Pesë vendet e rajonit, pjesë e Kartës së Adriatikut, diskutojnë mbi forcimin e bashkëpunimit në funksion të integrimit të vendeve anëtare të Kartës në strukturat Euroatlantike, si dhe bashkëpunimit në kuadër të operacionit ISAF, të udhëhequr nga NATO, në Afganistan. Në takimin e ministrave të Jashtëm të këtyre pesë vendeve zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ilir Meta, përshëndeti vendimin e NATO-s për përfshirjen e Malit të Zi në Planin e Veprimit për Anëtarësim (MAP), si dhe shprehu mbështetjen e Shqipërisë për aspiratat e Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës drejt integrimit të plotë në Aleancë. Njëkohësisht, Meta mori pjesë edhe në Konferencën e Parë të Ministrave të Jashtëm të Europës Juglindore për Aleancën e Qytetërimeve, që u zhvillua në Sarajevë. Në fjalën e tij këtë konferencë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që kanë mirëkuptimi dhe dialogu ndërkulturor në funksion të një shoqërie të shëndetshme dhe shumëkulturore.