E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrest dy tregtarëve, për 20 mijë palë këpucë

 TIRANE - Dy persona me aktivitet në tregun "5 Maji" në Tiranë, u arrestuan dje me akuzat e transportimit, tregtimit, ruajtjes dhe depozitimit të mallrave kontrabandë. Rreth 20 mijë palë këpucë kontrabandë, dy persona të arrestuar, një tjetër në hetim të lirë dhe dy të tjerë të shpallur në kërkim është bilanci i operacionit të koduar "Morina", i organizuar nga forcat e policisë së Tiranës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Tatimeve. Sipas burimeve nga policia të arrestuarit janë Durim Myslia, 23 vjeç dhe Zymbil Trota, 39 vjeç, ndërsa Bujar Shehu, 40 vjeç do të hetohet në gjendje të lirë. Policia tha se pas një hetimi 2-mujor rezultoi se të arrestuarit transportonin mallra kontrabandë. Artikujt merreshin në Bullgari dhe duke kaluar nëpër Kosovë hynin më pas nga dogana e Morinës pa u zhdoganuar për ta tregtuar në Tiranë. Sekuestrimi i këpucëve kontrabandë u realizua pas verifikimeve të dokumentacionit, ku rezultoi se malli nuk kishte dokumentet e origjinës dhe asnjë dokument të zhdoganimit. Policia tha se transporti realizohej me dy automjete.             e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›