E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Vizita e fundit", policia vë në pranga hajdutët e lokaleve

 PESHKOPI - Për Drejtorinë e Policisë, Qarkut Dibër është sukses arrestimi tre shtetasve që ishin bërë tmerri i dibranëve me vjedhjet e tyre të shumta. Në një dalje publike drejtuesit e policisë së këtij qarku thanë se pas një hetimi njëmujor dje ka përfunduar me sukses operacioni "Vizita e fundit" duke vënë në pranga në kushtet e flagrancës shtetasit Enkelejd Gjoni e Agim Crroj, lindur në Kovashicë e banues në Tiranë dhe Leonard Reçi, lindur në Zdojan-Dibër dhe banues në kryeqytet. Nga hetimet e deritanishme rezulton se këta shtetas kanë kryer një sërë vjedhjesh në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Ato kanë nisur që në 23 dhjetor, me grabitje lokalesh e dyqanesh në Bllatë, në Maqellarë, në qytetin e Bulqizës e atë të Peshkopisë. Në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestruan katër televizorë plazma, 350 copë doreza metalike për mobilieri, një levë hekuri që përdorej për hapjen e dyqaneve, një palë doreza për duart, tre kapuça për maskim, një pistoletë model 54 me një krehër me fishekë dhe një mjet "Volkswagen Passat", i marrë me qira në qytetin e Tiranës. Vjedhja e fundit ne qytetin e Peshkopisë ka vënë në lëvizje efektivët e policisë së Dibrës, të cilat në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Tiranës kanë vënë në pranga 3 hajdutët e lokaleve në Bulqizë e Peshkopi.             h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›