Trafik armësh, kapen 4 tregtarë
Etleva DeliaKatër "tregtarë celularësh" nga Durrësi, u arrestuan dje nga policia teksa po trafikonin një ngarkesë me armë nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. Kanan Xhakollari, 23 vjeç, Lulzim Qamo, 28 vjeç, Astrit Zylyftari, 23 vjeç dhe Asllan Plaku, 18 vjeç, të gjithë banues në Durrës, ranë në prangat e policisë me akuzën e trafikut të armëve. Burime nga policia thanë se personat e arrestuar hiqeshin sikur tregtonin telefona celular në Greqi, por në ngarkesa në fakt fshihnin armë që transportoheshin me autobusët e linjës së Athinës dhe më pas shiteshin në Greqi. Policia thotë se të arrestuarit blinin armë në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe më pas i trafikonin në Greqi, ku i shisnin me çmime më të larta. Arrestimi i katër "tregtarëve" është bërë pas disa muajsh hetime. Dje gjatë operacionit policia ka bllokuar një sasi të konsiderueshme armësh dhe municionesh që po trafikoheshin në drejtim të Greqisë. Burime nga policia sqaruan se janë sekuestruar 4 armë zjarri automatike, nga të cilat 3 tip "Kallashnikov" dhe një tip "PMSH", si dhe 2 armë zjarri pistoletë tip "TT". Për hetimin e këtij rrjeti policia shqiptare ka kërkuar bashkëpunimin e policisë greke, në mënyrë që të zbulohen dhe të arrestohen personat që "blinin" armët e trafikuara nga Shqipëria. Policia tha se po vazhdon hetimet për të zbuluar persona të tjerë të implikuar në këtë grup kriminal, përtej Durrësit në në qytete të tjera të vendit. Dosja penale ndaj pesë të arrestuarve po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka në juridiksion veprën e trafikut të armëve. HETIMETNdërkohë që dosja penale ndaj katër të arrestuarve është regjistruar për trafik armësh, grupi hetimor ka dyshime se "tregtarët e telefonave" kryenin edhe trafik lëndësh narkotike duke vepruar si një grup i strukturuar kriminal. Në javë më parë, një "anëtar" tjetër i këtij grupi u vu në pranga nga policia e Gjirokastrës, pasi po tentonte të trafikonte armë drejt Greqisë. Sotir Zako, 29 vjeç, u arrestua në autobusin e linjës Tiranë-Athinë, me një pistoletë tip "TT" dhe 7 fishekë. Zbulimi i tij është bërë nga oficerët e Antitrafikëve në vendkalimin kufitar të Kakavijës. Pasagjeri Sotir Zako, i cili bashkëpunonte me katër personat e arrestuar dje në Durrës, e kishte fshehur armën e zjarrit model 54, të prodhimit kinez, së bashku me shtatë fishekë të kalibrit të pistoletës, në një çantë shpine. Policia kishte informacion për praninë e armës, e cila sipas saj kishte destinacion shitjen në tregun grek. Duke u nisur edhe nga provat e sekuestruara javën e kaluar në banesën në Durrës të Sotir Zakos, policia ka nisur hetimet edhe ndaj katër personave të tjerë, për akuzën e "trafikimit të lëndëve narkotike". Në banesën e Sotir Zakos, u sekuestrua një sasi prej 100 gramë lëndë narkotike "kokainë", si dhe 30 kilogramë paracetamol dhe lidokainë, të cilat shërbejnë si lëndë përzierëse të lëndëve narkotike kokainë dhe heroinë. TE ARRESTUAR1. Kanan Xhakollari, 23 vjeç2. Lulzim Qamo, 28 vjeç3. Astrit Zylyftari, 23 vjeç4. Asllan Plaku, 18 vjeçARMET 3 armë automatike tip "Kallashnikov"1 automatik tip "PMSH"2 pistoleta tip "TT"