Tiranë, Gjykata: Gazmir Gjoka, ekstradim në SHBA, për FBI-në
TIRANE - Gazmir Gjoka, i arrestuar në Tiranë në nëntor të vitit 2009 për llogari të zyrës së FBI-së së Nju Xhersit do të gjykohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjykata e Tiranës vendosi dje miratimin e ekstradimit drejt kontinentit amerikan të Gjokës, i cili akuzohet për "trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike". Për ekstradimin drejt SHBA-ve është shprehur i gatshëm edhe vetë i akuzuari Gjoka gjatë seancës së shqyrtimit të kësaj kërkese. Gjoka u arrestua 9 muaj pasi u shpall si person në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet amerikane, si i përfshirë në një rrjet trafikantësh shqiptarë të armëve dhe të narkotikëve. Vendimi për ekstradimin e Gazmir Gjokës drejt Nju Xhersit në SHBA u dha dje në Gjykatën e Tiranës. Togat e zeza të kësaj gjykate vlerësuan se Gazmir Gjoka ishte në kushtet, ku mund të lejohej ekstradimi i tij për në SHBA. Kërkesa për ekstradimin e Gjokës kishte ardhur pak kohë më parë në Prokurorinë shqiptare nga autoritetet amerikane të FBI-së. Kërkesa u paraqit për shqyrtim nga Prokuroria e Tiranës në gjykatë. Në seancat e shqyrtimit të kërkesës në Gjykatën e Tiranës, Gjoka ka pohuar vullnetin e tij për t'u ekstraduar. Gazmir Gjoka, 56 -vjeç, u arrestua në afërsi të stadiumit "Qemal Stafa" në ditët e para të nëntorit të vitit 2009. Drejtësia e Nju Xhersit (New Jersy) kishte vendosur për të në mungesë masën e sigurisë "arrest me burg". Gjoka ishte një nga nëntë personat që arritën t'i shpëtonin një operacioni policor të FBI-së në SHBA, prej të cilit u prangosën 17 persona. Grupi kriminal u arrestua, si rezultat i infiltrimit të disa agjentëve të FBI-së në blerjen e një sasie lënde narkotike dhe disa armësh. Gjatë operacionit u sekuestruan dy avionë, me të cilët dyshohej se realizohej trafiku i lëndëve narkotike. Ndërsa dyshohej se ato trafikoheshin nga SHBA drejt Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Holandës dhe Kanadasë. ar.ba