Prostitucioni,ekstradohet miku i Petrit Liçit
TIRANE - Një person i afërt i Petrit Liçit të akuzuarit si anëtar i "Bandës së Lushnjës, u ekstradua mëngjesin e djeshëm nga Roma, pasi është dënuar për akuzën e "trafikimit të femrave për prostitucion". Burime nga policia sqaruan se Interpoli ka sjellë në Tiranë 34-vjeçarin Gentian Liçi, i cili ishte fejuar në vitin 2002 me vajzën me iniciale I. T dhe më pas e ka trafikuar atë në Itali, duke e shfrytëzuar për ushtrim prostitucioni. Kallëzimi i nënën së vajzës ka bërë që Prokuroria e Lushnjës të kërkojë ekstradimin nga Italia të Liçit për t'u përballuar me Drejtësinë. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, shpjegoi dje se Gentian Liçi, është dënuar në mungesë me 15 vjet burg nga Gjykata e Lushnjës, për kryerjen e veprës penale të "trafikimit të femrave për prostitucion", në bashkëpunim. Sipas vendimit të gjykatës, në prill të vitit 2002, Liçi në bashkëpunim me kushëririn e tij Petrit Liçi, një nga anëtarët e "Bandës së Lushnjës", Gëzim Liçin, Hazir Zhyrën, Dilaver Muhjën dhe Kristaq Elezin, kanë trafikuar në Itali për qëllime përfitimi vajzën me iniciale I.T. Policia sqaroi se, duke parë gjendjen e vështirë ekonomike të vajzës së dëmtuar dhe familjarëve të saj, me anë të mashtrimit, të akuzuarit kanë arritur të bindin prindërit e saj, që vajza të martohej me Gentian Liçin, duke u shprehur se të dy do të shkonin në Itali për të punuar dhe jetuar atje. Pa kaluar një javë nga martesa, vajza është trafikuar në shtetin fqinj duke e detyruar që të ushtronte prostitucion. Nëna e saj ka paraqitur kallëzim penal para organeve të policisë dhe mbi bazën e këtij denoncimi është regjistruar procedimi penal. Gentian Liçi u arrestua në Itali më 4 qershor të vitit 2009, për llogari të Interpolit shqiptar.