E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrest me burg për Romeo Lekën


Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për Romeo Lekën. Vetë Romeo Leka ka qenë i pranishëm në seancën gjyqësore dhe ka kërkuar që të jepet shpejt masa e sigurisë, pasi i duhej të largohej. Ai ka deklaruar se nuk mendonte të qëllonte pasi arma e tij nuk kishte plumba.
Ndërsa avokati mbrojtës i Lekës Ferdinand Ndoj ka kërkuar shtrim të detyruar në spital për 25-vjeçarin, pasi sipas tij ka probleme mendore. Avokati theksoi se edhe në SHBA, Leka rezultoi me probleme mendore.
Pas kësaj, Gjykata ka vendosur që Romeo Leka t'i nënshtrohet ekzaminimit mjekësor, ndërsa pritet raporti mjekësor edhe nga SHBA-ja.
Ndaj Lekës rëndojnë tre akuza për grabitje banke, armëmbajtje pa leje dhe pengmarrje. Ditën e premte, 25 vjeçari grabiti një filial banke dhe më pas mori peng 19-vjeçaren Lori Atellari.
Dje ekspertiza e kriminalistikës vërtetoi se arma që mbante Leka ditën e pengmarrjes ishtë pa plumba.
Romeo Leka ishte kthyer në Shqipëri pak ditë më parë nga Greqia ku mësohet se në 7 mars kishte vrarë me thikë Renato Krasniqin. Të mërkuren Leka tentoi të grabiste një taksist te parku "Rinia".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›