E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqi, vdes nga meningjiti 25-vjeçarja shqiptare

Izolohet arkivoli me trupin e 25-vjeçares. Panik në fshat, 30 persona që ndenjën pranë trupit futen në karantinë
Familjarët: Kishte tri ditë me temperaturë të lartë. Priste dy binjakë, por sëmundja përparoi shpejt
SKRAPAR-Sëmundja e meningjitit, konstatuar së fundi edhe në vendin tonë, i ka marrë jetën një emigranteje shqiptare në Greqi. Anila Memushaj, 25-vjeçare, lindurnë fshatin Kalanjë të Çorovodës, jetonte në shtetin grek, në lagjen Gizi, pranë Kipselit, në Athinë dhe sipas burimeve nga familja priste të bëhej nënë për herë të parë. Të njëjtën gjë e konfirmojnë edhe burimet policore, sipas të cilëve gruaja shtatzënë priste të sillte në jetë dy binjakë. Arkivoli me trupin është izoluar dhe ceremonia pritet të zhvillohet sot, në fshatin e saj të lindjes, ndërkohë që familjarët dhe 30 persona që kanë pasur kontakt me arkivolin kanë përfunduar në karantinë. Pas saktësimit të shkakut të vdekjes, që fillimisht nga mjekët grekë ishte probleme shtatzënie, një grup mjekësh ka mbërritur pranë familjes për të marrë në dorë situatën.
Ngjarja
Sipas të dhënave nga të afërm të viktimës, mësohet se 25-vjeçarja shtatzënë kishte disa ditë që ishte ndjerë e sëmurë. "Ajo ka pasur disa ditë temperaturë të lartë, që nuk i zbriste dhe u paraqit tek mjeku për kontroll",- thonë familjarët. Sipas tyre, ata kanë konstatuar sëmundjen e gruas, por sëmundja kishte përparuar shumë shpejt, aq sa nuk ka qenë e mundur të mbahej nën kontroll. Ajo, sipas të afërmëve, ka ndërruar jetë në një spital të Athinës, pavarësisht se u fut në mjekim për t'i shpëtuar sëmundjes. Pas vdekjes së pacientes, nga ana e familjarëve, ndërkohë dhe nga shteti grek menjëherë janë marrë masat urgjente për transportin e arkivolit me trupit e pa jetë të saj në vendin e lindjes. Mësohet se ai është sjellë me një mjet të izoluar dhe në rrugë sa më të shkurtër duke kaluar nga Tre Urat drejt dhe në Skrapar.
Mbërritja
Trupi i pajetë i viktimës së meningjitit ka mbërritur dje në orët e para të ditës, në fshatin e lindjes, 18 km në lindje të Çorovodës. Sipas të afërmëve, bashkë me arkivolin ishte edhe raporti mjekësor, që sipas tyre konfirmohej se gruaja kishte ndërruar jetë nga problemet gjatë shtatzënisë. Por rreth orës 15.00, ndërsa familjarët dhe të afërmit e gruas përgatiteshin për të kryer ceromoninë mortore, një telefonatë e mbërritur nga Tirana ka bërë që menjëherë në shtëpinë e familjarëve një grup mjekësh nga Skrapari, kryesuar nga drejtori i saj, Hysen Isellari, të shoqëruar edhe nga grupi i gatshëm i policisë.
Izolimi
Pas mbërritjes, mjekët kanë bërë izolimin e arkivolit në një dhomë më vete dhe e kanë bllokuar hermetikisht. Ata kanë urdhëruar familjarët, që në dhomën që ndodhet arkivoli të mos hyjë njëri dhe po kjo dhomë të ruhet nga forcat e rendit në largësi sipas orientimeve të mjekëve. Mjekët, pasi kanë bërë identifikimin e personave që kanë qenë në kontakt me arkivolin e hapur për gjatë gjithë pasdites së djeshme i kanë transportuar ata në spital. Ndërkaq, në spital ishin përgatitur dhomat për trajtimin e tyre, për t'i shpëtuar ndonjë infektimi të mundshëm nga virusi i meningjitit.
Karantina
Sipas mjekëve të spitalit të Skraparit, në spital janë dërguar 10 vetë dhe pritet edhe kontigjenti i dytë i personave që kanë qenë në kontakt me arkivolin e hapur që mbante trupin e pajetë të 25-vjeçares. Ata garantojnë se janë marrë të gjitha masat që të përballojnë me mjekim të gjithë personat që kishin kontakt me trupin e gruas, numri i të cilëve sipas llogarive shkon mbi 30 vetë. Sëmundja e rëndë ka alarmuar pushtetin vendor dhe atë qendror.
Masat
Shtyhet ceremonia mortore
Telefonata nga ministritë e linjës kanë vënë në alarm pushtetin vendor në këtë zonë. Kreu i shëndetësisë ka kërkuar marrjen e masave për të pranishmit në ceremoninë mortore. I kontaktuar në linjë telefonike, kryetari i komunës Qendër, Astrit Mustafaj, tha se janë marrë të gjitha masat organizative për t'u ardhur në ndihmë jo vetëm familjarëve, por edhe gjithë të tjerëve për të pasur në dorë situatën. Nga ana tjetër, forcat e rendit kanë marrë të gjitha masat që të mos kontaktohet më me arkivolin, deri në momentin kur atij do t'i jepet lamtumira e fundit nga familjarët dhe të afërmit e tyre. Ceremoni që sipas telefonatës do të kryhet sot paradite rreth orës 10.00, në varrezat e fshatit të lindjes.
Mjekët grekë: gruaja vdiq nga meningjiti akut
ATHINË- Ambasada shqiptare në Athinë është njoftuar mëngjesin e djeshëm nga një telefonatë e Institutit grek të Higjienës për shkaqet e vdekjes së emigrantes shqiptare Anila Memushaj. Sipas specialistëve grekë të këtij instituti, analizat që përfunduan ditën e enjte në mëngjes treguan se emigrantja fatkeqe ka vdekur nga meningjiti akut. Shenjat e para të sëmundjes kishin filluar para tre ditësh kur ishte shfaqur temperatura e lartë, por qe nuk pati mundësi te përballohej. Kjo ndoshta edhe për arsyen se të afërmit kujtuan që kjo temperaturë ka qenë thjesht simptome e një gripi te thjeshte. Por sipas autoriteteve greke të higjienës, arsyeja kryesore e vdekjes se saj është meningjiti akut. Madje këtë e kane konfirmuar edhe organet greke të rendit pas një njoftimi zyrtar nga rajoni i policisë së Kipselit në Athinë. Sipas specialisteve grekë të Institutit të Higjienës, janë këshilluar të afërmit e viktimës t'ju nënshtrohen kontrolleve mjekësore që parashtrohen në këto raste. Familja e emigrantes shqiptare banonte në lagjen Gizi, afër Kipselit, në Athinë.
Sëmundja
Çfarë është meningjiti
Meningjiti paraqet inflamacion të cipave të trurit, që e mbulojnë trurin dhe palcën kurrizore. Mund të jetë i shkaktuar nga viruset ose nga bakteret. Meningjiti viral zakonisht është më i lehtë, ndërsa meningjiti bakterial paraqet infeksion serioz, që mund të mbarojë me vdekje, nëse nuk jepet shpejtë terapi antibiotike. Sipas mjekëve, sëmundja mund të paraqitet me temperaturë e lartë, dhembje të forta koke, shtangim të qafës, përgjumësi e shprehur ose shqetësim, refuzim i ushqimit, pamundësi që tu përgjigjet pyetjeve të parashtruara. Që të diagnostikohet meningjiti, mjeku duhet të bëjë punkcion lumbal: me gjilpërë hyn në shtyllën kurrizore dhe merr pakëz lëng. Lëngu ekzaminohet nën mikroskop, për prezencën e qelbit dhe baktereve dhe bëhet kulturë, që të shihet nëse ka ndonjë bakter dhe të përcaktohet lloji i bakterit. Trajtimi bëhet vetëm në kushte spitalore dhe përfshin dhënien e antibiotikëve dhe terapi tjetër mbështetëse.
PRECEDENTËT
Dy motra nga Pogradeci dhe një vajzë 3-vjeçare nga Delvina u zbuluan ditët e para të janarit me sëmundjen e rëndë
Tre të sëmura nga meningjiti në Shqipëri
Për herë të parë për këtë vit sëmundja e meningjitit është zbuluar në spitalin e Korçës më datë tre janar. Dy motra nga rrethi i Pogradecit, babai dhe një i afërm i tyre, kanë përfunduar në karantinë, pasi mjekët konfirmuan se ishin prekur nga meningjiti. Trëndafile Krasta, 25-vjeçe, dhe motra e saj, Esmaja, 22-vjeçe, janë mbajtur gjatë këtyre ditëve nën vëzhgim të rreptë e bashkë me to gjithë spitali. Fillimisht ka qenë vetëm njëra nga motrat Krasta, e cila ka shkuar si paciente me rekomandimin e mjekëve të Pogradecit. Në rekomandimin e tyre, mjekët e këtij qyteti e drejtuan drejt Korçës me dyshimin se ajo vuante nga sëmundja e leucemisë. Vetëm më pas, gjithçka ka ndryshuar. Mjekët kanë hedhur poshtë dyshimin për leucemi, kur motra tjetër e të sëmurës, që ka shkuar për të shoqëruar motrën e madhe, ka shfaqur të njëjtat shenja, duke ndryshuar menjëherë mendimin e mjekëve të spitalit të juglindjes. Ndërkohë tre ditë më pas në spitalin e Gjirokastrës u zbulua një tjetër rast meningjiti. Bëhet fjalë për një vajzë trevjeçare, e cila mësohet se është prekur nga shkalla më e rëndë e kësaj sëmundjeje ngjitëse. Trevjeçarja Eljana Alinani, banuese në qytetin e Delvinës, është transportuar me urgjencë në spitalin rajonal "Omer Nishani" në Gjirokastër. Sipas mjekëve të Sarandës, të cilët kanë ekzaminuar rastin në fjalë, vajza kishte temperaturë, të vjella si dhe shfaqje të sëmundjes në lëkurë. Mjekët pohuan se trevjeçarja ishte prekur nga meningo-koksemia, faza më e rëndë e sëmundjes së meningjitit. Më pas vajza e vogël është transportuar për në kryeqytet ku ka dalë nga gjendja e rrezikut për jetën por sërish është nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›