Rëndohet gjendja e 18-vjeçarit, u dhunua nga policia
SARANDË – Rastet e ushtrimit të dhunës ndaj qytetarëve nga forcat e rendit po i prishin gjithnjë e më shumë imazhin dhe misionin Policisë së Shtetit. 18-vjeçari i keqtrajtuar në Sarandë disa ditë më parë ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin “Nënë Tereza” në kryeqytet. Disa ditë më parë u denoncuan edhe rastet e ushtrimit të dhunës ndaj një 6-vjeçari në Shijak, keqtrajtimi i një gruaje shtatzënë në protestat që po zhvillohen para selisë së Kuvendit, apo sjellja brutale, e denoncuar nga Avokati i Popullit në strukturat e Policisë së Vlorës. Seria e ngjarjeve ku ka qenë në epiqendër dhuna policore ndaj qytetarëve ka sjellë edhe reagimin e organizatave jo-qeveritare, apo organizmave ndërkombëtare prestigjioze si Këshilli i Europës, Komisioni Europian apo Departamenti Amerikan i Shtetit.
Rasti i Sarandës
Rëndohet gjendja e Aristidh Glucajt, djalit 18-vjeçar të dhunuar nga oficeri i Policisë së Sarandës. Drejtuesit e Spitalit të Sarandës vendosën dy ditë më parë që Glucajn ta nisin drejt Tiranës për trajtim mjekësor më të specializuar. Burime zyrtare pohojnë se ai po kurohet në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pasi ka goditje të shumta në pjesë të ndryshme të trupit. I riu, i cili u kap në Qafë Botë, është dhunuar në policinë e qytetit bregdetar nga oficeri i policisë, Ardit Hasanaga, i cili është vënë në pranga pak ditë më parë pas një deklarate publike të Avokatit të Popullit, që akuzonte efektivat blu për dhunën. Hasanaga akuzohet se ka rrahur të paraburgosurin, Aristidh Glucaj 18 vjeç. Ndaj tij ishte ushtruar dhunë nga oficerë të Policisë Gjyqësore të Sarandës, sa i riu ishte dërguar në spital për t’u mjekuar. Historia e dhimbshme nuk mbaron me kaq. Ndonëse i riu ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, ai ishte marrë nga oficerët e policisë për t’u dërguar në Gjykatën e Sarandës ku dhe do t’i jepej masa e arrestit. Por në sallë ai ka humbur ndjenjat, duke u dërguar më pas me urgjencë sërish në spital. Ky rast është marrë në shqyrtim nga Avokati i Popullit dhe më pas prokuroria nisi hetimet, duke akuzuar për ushtrim dhune dy punonjës policie. Më pas, Policia e Shtetit urdhëroi pezullimin nga puna të dy punonjësve të policisë.
Rastet e fundit
Tri ditë më parë u denoncua edhe një rast tjetër në Shijak, ku policia kishte ndaluar një të mitur, i cili akuzohej nga një i afërm i tij për vjedhje. Mësohet se 6-vjeçari është marrë në pyetje pa praninë e prindërve dhe ndaj tij dyshohet të jetë ushtruar presion. Institucioni i Avokatit të Popullit denoncoi edhe një tjetër rast në Vlorë. Sipas kreut të këtij institucioni, Emir Dobjani, në ambientet e ndalimit të Komisariatit të Policisë Vlorë u konstatua dhunë e ushtruar nga komandanti (mbiemri Arshiu) dhe punonjësit e policisë së grupit të gatshëm me kodin X 1 në dëm të shtetasit G. S., i cili ndodhej i shoqëruar për një konflikt me një shtetas tjetër. I shoqëruari paraqiste dëmtime të dukshme në zonën prapa veshit të majtë, në fytyrë dhe në trup. Përfaqësuesit e Avokatit të Popullit kërkuan menjëherë praninë e prokurorit dhe mjekut ligjor për të marrë kallëzimin penal dhe për të kryer ekspertizënn mjeko-ligjore. Pavarësisht veprimeve të kryera në vend nga ana e prokurorisë, Avokati i Popullit kërkon nga ana e drejtuesve të Policisë së Shtetit që kjo çështje të hetohet dhe të pezullohen menjëherë nga detyra efektivat që dyshohen për abuzim me detyrën dhe veprime arbitrare.
Betejat ligjore
Ushtrimi i dhunës së policisë ndaj qytetarëve është kthyer në kazus për drejtësinë shqiptare në rastin e të miturit Eriguert Ceka, i cili gjeti vdekjen në mjediset e Komisariatit të Mirditës si pasojë e dhunës policore. Hetimet zbardhën detajet e ushtrimit të dhunës dhe goditjeve në kokë të Cekës nga gardiani Gjon Reçi. Pas hetimeve, efektivi i burgut u dënua nga drejtësia. Por më pas familja kërkoi dëmshpërblim. Gjykata e Mirditës mori në shqyrtim padinë e familjes Ceka për dëm moral dhe shpirtëror të shkaktuar nga policia dhe e fitoi betejën ligjore. E ëma e Eriguertit fitoi të drejtën për t’u dëmshpërblyer në shumën e 2.3 milionë lekëve. Tashmë çështja ka kaluar në Gjykatën e Strasburgut, pasi familja ka kërkuar dëmshpërblim në shumën 2.3 milionë lekë për çdo anëtarë. Thuajse i njëjti rast ishte në Korçë, ku pas dhunës policore të ushtruar nga Amarildo Përfundos, ai u gjet i vetëvarur në kasollen ngjitur shtëpisë së tij. Por deri tani familja Përfundo nuk ka fituar asnjë betejë ligjore me policinë për të marrë dëmshpërblim.
e
15 Nentor 2008