Arrest me burg për tre falsifikuesit e diplomave
Tre persona të akuzuar për falsifikimin e diplomave dhe garancive për studime jashtë shtetit, të arrestuar tri ditë më parë, do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve të prokurorisë ndaj tyre. Nazmi Mata 38 vjeç, Naim Gjoshi 38 vjeç dhe Maringlen Nikaj, 51 vjeç, dolën dje para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë. Prokuroria tha se prej më se një viti të arrestuarit kishin kryer falsifikim diplomash dhe dokumentesh të nevojshme për studimet jashtë shtetit. Për akuzën e falsifikimit të dokumenteve zyrtare, prokuroria kërkoi mbajtjen në burg të tre të arrestuarve, kërkesë e cila u pranua nga gjykata. Trupi gjykues vendosi ndërkohë që të zhvillohen hetime në gjendje të lirë ndaj shtetasve Pandi Prifti, noter dhe Shaniko Hodaj, përkthyese, e cila kryente përkthimin në gjuhë të huaj të dokumenteve të falsifikuara.
#