Dënimi i Shullazit, mbrojtja rekurs në Gjykatën e Lartë
Pas marrjes së dënimit në shkallën e dytë të Krimeve të Rënda, ku togat e zeza e dënuan me 10 vite burg dhe duke përfituar nga 1/3 e uljes së dënimit u la në 6.8 vite burg, avokati mbrojtës i Emiljano Shullazit ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë. Pretendimi i përfaqësuesit ligjor të të pandehurit është për dënim të padrejtë, por nuk është në të njëjtën linjë prokuroria. Në të dyja shkallët ajo ka kërkuar më shumë se 15 vjet burg për Emiljano Shullazin. Pritet të caktohet data kur do të merret në shqyrtim dosja e Shullazit, ku dhe do të gjykohet për zbatimin e procedurave nga togat e zeza në dy shkallët e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Prokuroria gjithnjë e ka akuzuar Shullazin për “Trafikim të narkotikëve, organizim, drejtim, financim të një organizate kriminale, me qëllim trafikimin e heroinës; kryerjen e krimit të trafikimit të narkotikëve nga pjesëtarë të organizatës kriminale; pjesëmarrje në organizata kriminale të krijuara posaçërisht”.
GjykimiNë Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, proces ky i përfunduar më 17 shkurt të këtij viti, prokuroria kërkoi deklarimin fajtor të të pandehurit Emiljano Shullazi, për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve” të kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, parashikuar si krim nga neni 283/a /2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 13 (trembëdhjetë) vjet burgim. Por në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, dënimi përfundimisht i të pandehurit Emiljano Shullazi shkon me 8 (tetë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim. Pas pretendimeve të përfaqësuesve të akuzës, ka qenë mbrojtja e të pandehurit që kërkoi pafajësi. Në përfundim, togat e zeza kanë vendosur deklarimin fajtor të të pandehurit Emiljano Shullazi për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve”, të kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, parashikuar si krim nga neni 283/a /2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 11 (njëmbëdhjetë) vjet burgim. Por bazuar në nenin 406 të K.Pr.Penale, gjykata e dënoi përfundimisht të pandehurin Emiljano Shullazi me 7 (shtatë) vjet e 4 (katër) muaj burgim. Sipas gjykatës, vuajtja e dënimit për të pandehurin Emiljano Shullazi fillon nga data e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, dhe do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.
Pas këtij vendimi, çështja ka shkuar në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda, nga ku togat e zeza më 10 maj 2010 vendosën lënien në fuqi të vendimit nr. 04, datë 17.02.2010 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, lidhur me deklarimin fajtor dhe cilësimin juridik të veprës në ngarkim të të pandehurit Emiljano Shullazi, sipas nenit 283/a-2 të K.Penal me 10 (dhjetë) vjet burgim. Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale gjykata vendosi dënimin e tij me 6 (gjashtë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.
Sipas prokurorisë, i dënuari Emiljano Shullazi ka drejtuar një organizatë kriminale që trafikonte heroinë nga Turqia në Itali, duke kaluar transit në territorin shqiptar. Furnizuesi ishte një shtetas turk, ndërsa korrierë të drogës ishin shtetas kosovarë, shqiptarë dhe kroatë. Nëpërmjet korrierëve, organizata ka trafikuar rreth 150 kilogramë heroinë dhe përzierës. Anëtarët e organizatës u identifikuan nëpërmjet përgjimeve telefonike, që ishte dhe prova më e fortë në proces. Sipas vendimit të gjykatës, rezultonte se disa shtetas shqiptarë, në bashkëpunim dhe me shtetas të huaj, në vitin 2004 kanë eksportuar lëndë narkotike në Itali, të cilën e merrnin kryesisht nga një furnitor nga Turqia dhe në disa raste e kalonin transit në Shqipëri. Nga hetimet janë zbuluar gjithsej nëntë anëtarë. Ata janë dënuar për 6 episode, ku kryesisht prova më e fortë janë përgjimet.
#