Emërohen oficerët e kontaktit në Romë dhe Lion
Pas lëvizjes së oficerit të kontaktit në Kosovë, ndryshime të tjera kanë pasuar në Itali dhe në Francë. Dy oficerë policie janë emëruar në postet e oficerit të kontaktit dhe më 1 korrik marrin detyrat e reja. Burimet policore shpjegojnë se Ervin Premçi, aktualisht oficer kontakti në Bari, është liruar nga kjo detyrë me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Lirimi i tij nga kjo detyrë është bërë për shkak të emërimit oficer kontakti në Lion të Francës. Premçi do të marrë detyrën e oficerit të kontaktit pranë qendrës së Interpol. Vendi i lënë i lirë nga Premçi do të zihet nga një tjetër oficer policie. Por, sipas të dhënave, në Itali do të bëhet një qendër më e madhe bashkëpunimi, kështu që ajo transferohet nga Bari në Romë. Në funksionin e oficerit të kontaktit në Romë do të emërohet Dritan Berisha. Vetëm pak ditë më parë u lirua nga detyra e oficerit të kontaktit në Kosovë Petrit Bushi. Ai u emërua në detyrën e shefit të Sektorit Kundër Korrupsionit në Drejtorinë Kundër Krimit Ekonomik të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Në vend të tij u emërua Astrit Kodra. Ky i fundit për pothuajse katër vjet ka mbajtur funksionin e kreut të Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve. Burimet policore shpjeguan se këto lëvizje bëhen në kuadër të rritjes së bashkëpunimit me homologët e vendeve të tjera, pasi ka ndryshuar edhe shkalla e prioritetit ndaj tyre. Siç dihet, në varësi të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është krijuar Drejtoria e Bashkëpunimit dhe e Koordinimit Ndërkombëtar, që ka në varësi edhe Sektorin e Oficerëve Ndërlidhës.
#