SHISH kërkoi buxhet shtesë për operacionet e zbulimit
Komisioni i Sigurisë u informua pak ditë më parë nga shefi i inteligjencës shqiptare. Bahri Shaqiri dha një raport mbikëqyrës për punën njëvjeçare të institucionit që ai drejton. Në këtë raport u përfshinë çështje si krijimi i resurseve financiare, në mënyrë që SHISH të kryejë misionin e tij, mënyra sesi është përdorur buxheti për vitin e kaluar dhe realizimi i të ardhurave. Kryesisht, një pjesë të mirë të buxhetit të vitit të kaluar, SHISH e ka shpenzuar për blerjen e makinave të reja, ndërtimin e një palestre pranë godinës qendrore të tij dhe sistemin e ri që shërbimet sekrete po përdorin mbi përgjimin e personave të caktuar. Raporti i dorëzuar në Kuvend është cilësuar si informacion i kualifikuar dhe për këtë arsye është shmangur shumëfishimi në disa kopje i tij. Institucioni i inteligjencës shqiptare paraqiti edhe kërkesën për shtimin e buxhetit, duke filluar nga vjeshta e këtij viti. Një ndër arsyet pse drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror ka kërkuar rritje të buxhetit vjetor, është ngritja e strukturave të reja të zbulimit për operimin e SHISH-it jashtë kufijve të Shqipërisë. Mazhoranca dhe opozita ishin në një mendje për sa i takon aktivitetit të Shërbimit Informativ Shtetëror, por u ndanë në aspektin e burimeve financiare me të cilin ky institucion duhet të kryejë misionin e tij. Mazhoranca i ka kërkuar SHISH-it “të shtrëngojë rripin”, ndërkohë që opozita e cilëson si shqetësim serioz mosfinancimin e misioneve të shërbimit inteligjent, që sipas tyre reflektohet edhe në sigurinë kombëtare dhe në eficencën e punës. Mungesa e theksuar e fondeve për operacionet, për një teknologji më të avancuar, për trajtimin e inspektorëve dhe të agjentëve të SHISH-it, trajtimin e tyre dhe të pagave, ka pasur ndikim sipas opozitarëve në efikasitetin e punës.
#