I ndiqte policia greke, plagosen dy shqiptarë
Dy klandestinë shqiptarë janë plagosur në një aksident, kur makina me të cilën po udhëtonin po ndiqej nga policia greke në Janinë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, kur Policia e Janinës i ka bërë me sinjal një makine për të ndaluar. I ndodhur në këtë situatë, shoferi i makinës që po transportonte shqiptarët ka vendosur të largohet me shpejtësi. Në ndjekje është vënë patrulla e policisë. Pas disa kilometrash, makina e dyshuar u përmbys dhe si pasojë u plagosën rëndë dy klandestinët shqiptarë, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur. Menjëherë ata janë dërguar në spital, ndërkohë që i janë vënë prangat taksistit që po transportonte klandestinët shqiptarë. Ai do të përballet me drejtësinë jo vetëm për aksidentin rrugor, por edhe për trafik të qenieve njerëzore.
#