E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Shqipëri, 129 t qumësht nga Kina, fillon bllokada

Nga fillimi i vitit 2008 në Shqipëri janë importuar nga Kina 129 tonë qumësht. Mnistria e Bujqësisë bën publike shifrën dhe shton se një sasi e këtij qumështi dhe produktete të tij është bllokuar në magazinat e portit të Durrësit. 

TIRANE- Gjatë tetë muajve të parë të këtij viti në Shqipëri janë importuar nga Kina rreth 129 tonë qumësht. Shifra bëhet publike nga Ministria e Bujqësisë e cila ka urdhëruar dhe bllokimin e kësaj sasie, pasi do të verifikohet nëse ka përmbajtje melanine, kimikatindustrial i cili shkatërron veshkat e njeriut.

Vetëm pak ditë më parë një sasi e këtij qumështi të importuar nga Kina është bllokuar në magazinat e portit të Durrësit. Burime zyrtare nga Ministria e Bujqësisë bëjnë të ditur se qumështi i bllokuar do t’i nënshtrohet analizave të mëtejshme për të vërtetuar nëse ka përmbajtje të melaninës apo jo.

Burime nga dikasteri i Bujqësisë konfirmuan për tv NEËS24 se importi i qumështit nga Kina bëhet vetëm nga një kompani, por këto burime nuk pranuan të bëjnë publik emrin e saj.

Ministria e Bujqësisë vendosi dje embargon për importin dhe tregtimin e qumështit dhe nënprodukteve me bazë qumështi nga Kina. Sipas urdhërit të lëshuar nga kreu i këtij dikasteri, Jemin Gjana qumështit të bllokuar, të importuar nga Kina, do t’i bëhen analizat në një vend të Bashkimit Evropian për sasinë e melaminës. Deri në marrjen e përgjigjeve të gjitha produktet do të jenë të bllokuara dhe në rast se përmbajtja e melaminës del e lartë ato do të asgjësohen menjëherë. Vendimi i ministrisë së Bujqësisë erdhi menjëherë pas embargos që Komisioni Europian u beri produkteve me bazë qumështi nga Kina për të gjitha vendet e Bashkimit Europian.

Skandali i qumështit me melaninë u bë publik pak ditë më parë në Kinë kur 6 mijë foshnja rezultuan të sëmurë nga qumështi, ndërkohë që disa fëmijë vdiqën. Menjëherë qeveria kineze vendosi bllokimin e qumështit dhe të gjitha produkteve të tij që kanë në përbërjen e tyre melaminë. Sipas ekspertëve kimikati industrial shtohej në qumështin pluhur të foshnjave që ky i fundit në dukje, të kishte një nivel më të lartë proteine.

Në Greqi, mediat greke bëjnë të ditur se në fillim të vitit 2008 kanë hyrë rreth 140 tonë mallra kinezë me produkt bazë qumështin, i cili në përbërje mund të ketë melaminë. Qeveria greke njoftoi se janë ushtruar kontrolle dhe se nuk janë gjetur prodhime qumështi me melaminë.

(s.g/a.s/NEWS24/BalkanWeb) 



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›