Sportisti Ramaj merr titullin Mjeshtër i Madh (pas vdekjes)
TIRANE- Sportisti Rexhep Ramaj është nderuar sot nga Presidenti i Republikës Bamir Topi me titullin “Mjeshtër i Madh” (pas vdekjes) . Ceremonia u organizua sot paradite në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Tiranë. Titullin e mori djali i tij Agim Ramaj. Gjatë këtij aktiviteti u transmetua dhe një film-dokumentar, ku prezantohej jeta dhe veprimtaria sportive e Rexhep Ramaj.
Rexhep Ramaj lindi më 1920. Ai mbaroi Akademinë Ushtarake në Milano. Ka qenë Sekretar i Federatës në Komitetin Shtetëror të Kulturës Fizike e Sporteve, për sportet e Rënda dhe Qitjen, Shef i katedrës së edukimit fizik në shkollën e mesme Ekonomike, nxitës dhe promovues i krijimit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe anëtar i Komitetit të tij Ekzekutiv për vite me radhë. Në vijim për tre mandate, ishte President i Federatës së Qitjes. Ramaj është nderuar dhe me tituj si "Mësues i Popullit", "Urdhri Olimpik". Mjeshtri i madh u nda nga jeta 2 vjet më parë, në 2006.
Në ceremoni mes të tjerëve ishin të pranishëm edhe znj Liri Berisha, Minsitri i Kulturës dhe Sporteve Ylli Pango, miq dhe familjarë të Rexhep Ramajt .
(s.g/BalkanWeb)