E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrest per Limajn gjykata e EULEX 30 dite arrest shtepie

Menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit të plotë nga Gjykata Kushtetuese, një panel i gjyqtarëve të EULEX-it ka thirrur urgjentisht që të paraqitet para gjykatës deputetin Fatmir Limajn, të cilit pas një seance që ka zgjatur mbi dy orë i ka shqiptuar masën e arrestit shtëpiak për 30 ditë.

EULEX tash disa muaj lëshuar një urdhër-arrest për deputetin Limaj, i cili akuzohet për krime lufte të supozuara se janë kryer gjatë luftës në një qendër paraburgimi në fshatin Kleçkë. Ky urdhër arrest nuk ka mundur të ekzekutohet deri tash nga EULEX-i për shkak të paqartësive rreth imunitetit të deputetit Limaj.

Pas presionit të bashkësisë ndërkombëtare dhe refuzimit kategorik të kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi për t’i kërkuar Gjykatës Kushtetuese një interpretim final për imunitetin e deputetëve, nëse ata kanë ose nuk kanë imunitet për ndjekje penale dhe civile jashtë funksionit të tyre si ligjvënës, ishte vetë kryeministri Hashim Thaçi ai që parashtroi kërkesë për këtë çështje në Gjykatë në korrik të këtij viti.

Gjykata në fillim të kësaj jave mori vendimin i cili zhveshi deputetët nga imuniteti për ndjekje jashtë fushë veprimtarisë së tyre si ligjvënës. Ky vendim hyri në fuqi menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit të plotë në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese.  Me këtë aktgjykim iu hap rruga për veprim EULEX-it, i cili ftoi menjëherë Limajn në Gjykatë.

Dy ditë më herët Limaj dëshmoi për disa orë para prokurorisë speciale për hetimet që EULEX po zhvillon tash e më shumë se një vit për korrupsion në Ministrinë e Transportit, për kohën sa ajo drejtohej nga Limaj. Limaj po ashtu ka pasur një përballje të gjatë me drejtësinë në Tribunalin e Hagës, ku pas një procesi të gjatë gjyqësorë u shpall i pafajshëm dhe u lirua nga nga të gjitha akuzat për krime lufte.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›