Arrest shefit të Krimit Ekonomik
ELBASAN/ ALDO KOZARIA
Shefi i krimit ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit dhe një tjetër inspektor i po kësaj zyre do të qëndrojnë në arrest shtëpie deri në përfundim të hetimeve me akuzën e shpërdorimit të detyrës, kryer në bashkëpunim. Masa u dha dje nga gjykata e këtij rrethi, pasi dy punonjësit e policisë dyshohet se kanë “zhdukur” provat, pas arrestimit të një shtetasi për falsifikim të kartëmonedhave. Sipas burimeve të policisë, ka nisur çështja penale në ngarkim të Evis Lamçes, shef i Sektorit të Krimit Ekonomiko–financiar, si dhe ndaj vartësit të tij, Gazmir Driza. Hetimi ndaj tyre nisi nga SHKB-ja (Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm), pasi kishin siguruar më parë të dhëna operative për shkeljen në detyrë të dy efektivëve. Mësohet se dje ata janë marrë në pyetje për rreth katër orë nga ana e specialistëve të SHKB-së. Sipas Prokurorisë së Elbasanit, të dy punonjësit që mbajnë gradën kryeinspektorë janë nën hetim për një ngjarje të ndodhur pak muaj më parë, ku gjatë një operacioni u arrestua një shtetas, i cili posedonte në xhep një sasi prej 4 mijë lekësh të falsifikuara. SHKB-ja ia nisi organit të akuzës këtë çështje, pasi konstatoi se dy punonjësit e policisë nuk e kanë kryer si duhet detyrën. Dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata kanë “zhdukur” provat. Gjatë hetimit rezultoi se Lamçe dhe Driza nuk kanë kryer kontroll banese tek i arrestuari, si dhe nuk kanë kryer hetime të mëtejshme për origjinën e parave të falsifikuara, të prerjeve 1 mijë lekëshe. Burimet nuk konfirmojnë nëse kjo vepër është kryer me dashje nga ana e policisë për të lehtësuar pozitën e të arrestuarit apo ka qenë thjesht neglizhencë e tyre. Kjo pritet të zbardhet në fund të hetimeve, nga ku më pas gjykata do të japë verdiktin e saj në lidhje me akuzën e ngritur. Mësohet se Gjykata e Elbasanit kishte firmosur ditën e hënë masën e arrestit shtëpiak për punonjësit e krimit ekonomik, masë e cila iu është komunikuar dje po në gjykatë. Prokuroria kishte kërkuar masën e mësipërme për Evis Lamçen dhe Gazmir Drizën, respektivisht 29 dhe 28 vjeç. Shefi i sektorit Lamçja ushtronte detyrën e shefit të Sektorit të Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit prej dy vitesh. Ai ka punuar më parë në drejtorinë e Elbasanit si shef i zyrës së antidrogës, si dhe në detyrën e inspektorit në komisariatin e Peqinit. Ndërsa 28-vjeçari Driza kishte afro 8 muaj që ishte transferuar nga drejtoria e policisë së Fierit në atë të Elbasanit. Goditja e dy punonjësve të policisë Evis Lamçe dhe Gazmir Driza është e treta që kryhet nga ana e Prokurorisë së Elbasanit brenda pak ditëve.