Tentoi të futet në rrobaqepësi, e vret roja me armën e shërbimit
SHKODER - Tentoi të futet forcërisht në ambientet e fabrikës së rrobaqepësisë, por vritet nga roja i sigurisë. Bashkim Bajri, 46 vjeç ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës, pasi kishte marrë tre plumba në trup. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 13:50, në ambientet e brendshme të fabrikës private të rrobaqepësisë “Rubin”, që ndodhet pranë kryqëzimit të spitaleve. Autori i vrasjes, 20- vjeçari Nilson Sokoli u arrestua rreth 45 minuta pas ngjarjes teksa po tentonte të fshihej në kodrat e fshatit Bardhaj. Nga hetimet e kryera rezultoi se Bashkim Bajri kishte tentuar të hyjë në oborrin e ndërmarrjes private. Ndërkohë, Nilson Sokoli, me detyrë roje private e kësaj ndërmarrjeje nuk e ka lënë atë të futet në ambientet e brendshme. Ky veprim i rojës ka irrituar Bajrin, i cili ka filluar të debatojë me 20-vjeçarin. Ngjarja precipitoi më pas kur Sokoli qëlloi me armën e shërbimit 46-vjeçarin. Pas të shtënave, punonjësit e fabrikës e dërguan të plagosurin në spitalin e Shkodrës që ndodhej pranë vendit të ngjarjes. Por megjithë ndihmën e mjekëve, viktima arriti të mbijetojë vetëm rreth 30 minuta. Sipas mjekëve, viktima ndërroi jetë, pasi i ishin shkaktuar tri plagë dhe kishte humbur shumë gjak. Policia e Shkodrës nisi një aksion për kapjen e autorit, i cili pas krimit u largua në drejtim të paditur. Arrestimi i tij u krye rreth 45 minuta pas ngjarjes. Sokoli po mundohej të fshihej në kodrat e Bardhajve, zonë jo shumë larg ndërmarrjes ku ndodhi vrasja. Pas arrestimit ai u mor në pyetje për krimin e kryer. Mësohet se i riu deponoi se nuk kishte dashur ta vrasë 46-vjeçarin, por vetëm ta trembë atë. Por kur ka hequr siguresën, automatiku ka qenë me breshëri, duke e qëlluar për vdekje Bajrin. Ai kishte shkuar në fabrikë për të takuar një person. r.d