E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrihte përditë tre fëmijët dhe gruan, arrestohet 40-vjeçari

Tiranë

Babai i tre fëmijëve është arrestuar dje nga policia e kryeqytetit, pasi ushtronte dhunë të vazhdueshme ndaj tyre dhe ndaj së shoqes. Rreth orës 21.00, nga specialistët e seksionit të policimit në komunitet dhe parandalimit të krimit, në bashkëpunim me seksionin e dhunës në familje dhe mbrojtjes së të miturve, u mor masa e menjëhershme e arrestit në flagrancë ndaj shtetasit Agron Besim Bilbili, 40 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Arrestimi i këtij personi u krye, sepse në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes 33-vjeçare, si dhe ndaj tre fëmijëve të tij të mitur. Konkretisht, rreth orës 16.00 të ditës së djeshme, në rrugën “Abdyl Frashëri”, në afërsi të Librit Universitar në Tiranë, dyshohet se ka keqtrajtuar bashkëshorten, duke ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj, madje edhe ndaj tre fëmijëve të tij të mitur, respektivisht të moshave 3, 8 dhe 9 vjeç. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës thanë se për shkak të rrezikshmërisë së tij në familje, nga ana e seksionit të policimit në komunitet dhe parandalimit të krimit, në bashkëpunim me seksionin e dhunës në familje dhe mbrojtjes së të miturve, u mor masa e menjëhershme e arrestit ndaj këtij personi, duke u bazuar në Ligjin Nr. 9669 për “Dhunën në ambientet familjare”, për konsumim të veprave penale të “keqtrajtimit të të miturve”, “kanosjes” dhe “dëmtimeve të tjera me dashje”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›