Krimet e Rënda rrëzojnë Dajtin për përjashtimin e gjyqtares
Krimet e Rënda rrëzojnë kërkesën e Dritan Dajtit, vrasës i katër punonjësve të policisë verën e kaluar në Durrës, duke mos përjashtuar gjyqtaren Nertina Kosova. Kërkesa është shqyrtuar dje paradite në Gjykatën e Krimeve të Rënda nga gjyqtarja Etleva Deda, me objekt përjashtimin e Kolegjit Penal të drejtuar nga Nertina Kosova. Pas shqyrtimit, Deda e rrëzoi kërkesën, duke e cilësuar të pabazuar në ligj. Dajti, nëpërmjet avokatit Arben Qeleshi, kishte kërkuar disa javë më parë përjashtimin e pesëshes gjykuese, pasi këta të fundit nuk kishin pranuar gjykimin e shkurtuar dhe ndarjen e këtij procesi. Gjithashtu, Dajti kërkonte pezullimin e procesit gjyqësor, pasi ishte e pamundur pjesëmarrja e tij në gjykatë për arsye shëndetësore. Prokuroria i ka kundërshtuar këto kërkesa, duke argumentuar fillimisht për ndarjen e procesit se të akuzuarit kanë lidhje me njëri-tjetrin dhe dëshmitë e tyre do sjellin prova të disa veprave penale të kryera në bashkëpunim. Në atë kohë, gjykata i rrëzoi të gjitha argumentimet e Dajtit, pasi janë të pabazuara në ligj, ndërsa i akuzuari iu drejtua me një kërkesë gjykatës për përjashtimin e trupës gjyqësore. Por edhe kjo kërkesë u hodh poshtë dje, duke e lejuar gjyqtaren Nertina Kosova ta vazhdojë këtë proces gjyqësor. Krahas shqyrtimit të kërkesës së Dajtit, dje është zhvilluar edhe seanca gjyqësore, që ka filluar në orën 15:00 dhe gjatë zhvillimit të saj avokati Arben Qeleshi i kërkoi gjykatës kohë për të përgatitur mbrojtjen, duke u këshilluar me klientin. Sipas Qeleshit, koha e deritanishme nuk ishte e mjaftueshme, duke parë edhe shëndetin e klientit të tij, dhe kërkoi disa ditë të tjera për konsultime. Një seancë më parë Dajti kërkoi pezullimin e shqyrtimit gjyqësor dhe gjykimin e shkurtuar, të dyja nuk u pranuan. Edhe dje “loja” e avokatit vazhdoi për shtyrjen e procesit, për të përgatitur mbrojtjen, por kjo kërkesë u kundërshtua nga prokurori Eugen Beçi. Sipas prokurorit, kërkesa është e paligjshme dhe nëse gjykata e shtyn procesin, atëherë të pezullojë afatet e paraburgimit. Gjykata e konsultuar në vend vendosi ta shtyjë seancën, për t’i lënë kohë avokatit Arben Qeleshi për t’u njohur me disa akte dhe prova dhe për të paraqitur parashtrimin e tij hyrës. Seanca u shty për në 18 qershor. I pandehuri, edhe dje ka marrë pjesë personalisht në sallën e gjyqit, duke përsëritur gjithë sa tha avokati i tij. Ai ka pohuar se nuk është njohur me provat dhe një takim i zhvilluar me avokatin për këtë qëllim ishte ndërprerë nga mjekët.
#