E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Arresti im me prova të manipuluara”

Arben Sefgjini, drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, do të gjykohet nën masën e sigurisë "arrest shtëpie", lidhur me zhdukjen e Remzi Hoxhës dhe rrëmbimin e Ziso Kristopullit e Avdyl Loshajt.

Fatos Mahmutaj

Gjykata e Krimeve të Rënda, nuk i lëvizi asnjë presje vendimit të shpallur pesë ditë më parë në ngarkim të Sefgjinit, duke vendosur në bazë të kërkesës së prokurorisë "arrest shtëpie". Për rreth një orë, kreu i Tatimeve, u përball me përfaqësuesin e prokurorisë, në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku paraqiti pretendimet e veta për zbutje të masës së sigurisë, të cilat u rrëzuan nga gjykata, në momentin kur u vendos që "arresti në shtëpi", të ruante efektin deri në një vendim tjetër. Fillimisht, fjalën e mori prokurori i çështjes Xhevat Hana, i cili bëri një përmbledhje të shkurtër të procesit hetimor në ngarkim të Arben Sefgjinit, ish-drejtori i SHIK, në Degën e Tiranës, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve; Ilir Kumbaros ish-kreu i SHIK në Drejtorinë Qendrore; Avni Koldashin ish-shef i bazës së vëzhgimit dhe Budjon Meçen, ish-inspektor, të akuzuar për "rrëmbim me pasojë vdekjen" dhe "torturë", akuza të konsumuar në bashkëpunim dhe nga tre herë prej secilit të pandehur, çka rrezikojnë dënim që mund të shkojë deri në burg të përjetshëm, nëse gjenden fajtorë.
Sipas prokurorit, Sefgjini, Koldashi dhe Meçe u arrestuan më 22 maj të 2003 të akuzuar për rrëmbimin e Ziso Kristopullit dhe Remzi Hoxhës. Për këtë akuzë, ata qëndruan në qeli deri më 28 maj 2004, derisa Gjykata e Tiranës vendosi t'i lironte për shkak të skadimit të afateve të paraburgimit, ndërsa prokuroria kishte kërkuar zgjatje të tyre. Gjykata e argumentoi lirimin e tyre me faktin se, prokuroria nuk kishte prova të reja. Në këtë kohë prokuroria ndryshoi akuzën ndaj të pandehurve në "shpërdorim detyre", dhe si pasojë e amnistimit të kësaj vepre penale në vitin 1997, u vendos pushimi i çështjes më 1 korrik 2004. Më pas, ndërsa të pandehurit ishin dëmshpërblyer nga Gjykata e Tiranës për burgim të padrejtë, më 29 gusht 2006 me urdhër të prokurorit të Përgjithshëm u rihapën hetimet e pezulluara për rrëmbimin e dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës si dhe rrëmbimin e Ziso Kristopullit. Në këtë kohë ndaj të pandehurve u shtua edhe akuza e rrëmbimit e kryer ndaj Avdyl Loshajt. Më datë 14 prill 2008, përfundoi hetimi i kësaj çështjeje, ndërsa më 18 prill dosja u dorëzua në gjykatë. Veprimi i fundit i kryer nga prokuroria ishte kërkesa për vendosjen e masës së sigurisë, depozituar në gjykatë më 30 prill dhe vendosur nga togat e zeza më datë 4 maj.
Sefgjini
Gjatë fjalës së tij para gjykatës, Arben Sefgjini tha se, prokurori i çështjes nuk dispononte prova, por fliste me dyshime në kokën e tij. "A ka parë prokurori, nëse unë kam dalë jashtë shtetit ndonjëherë në periudhën që ai zhvillonte hetimet paraprake? Nëse e ka parë le të ia tregojë gjykatës që e ka parë, që unë kam dalë e kam hyrë dhe pas kësaj të thotë që, ti zotëri duhet të jesh në arrest. Nëse këto prokurori nuk i ka parë, atëherë ai nuk mund të thotë që unë iki dhe nuk kthehem", tha Sefgjini. Më tej, ai shtoi se jepte prova që kishte ikur jashtë shtetit dhe kishte ardhur, megjithëse ndodhej në periudhën e hetimeve paraprake. "Prokurori e di mirë se unë jam paraqitur në prokurori për hetimet paraprake edhe pa më dërguar njoftime, por vetëm me telefonatë. Duhet këto t'ia kishte paraqitur gjykatës dhe me anë të këtyre të tregonte dyshimet e tij. Nuk kanë logjikë argumentet e prokurorit. Dhe jam i bindur se, nëse këto prova do të ishin dorëzuar, në pozicionin tuaj nuk do ishte marrë vendim për këtë masë sigurimi. Ndaj kërkoj që të revokohet ajo. Për këto, ne kemi prova dhe mund t'i vëmë në dispozicion për hyrje- daljet e mia jashtë shtetit. Unë kam pasaportat me vizë "Shengen", pohoi më tej Sefgjini, duke përfunduar se nuk ishte e vërtetë që t'i jetë komunikuar akuza për Loshaj në shkurt 2008. Sipas tij, me këtë akuzë ishte njohur në dhjetor 2003. Të paktën kjo ndodhej në vendimin e pushimit të akuzës më 1 korrik 2004. "Pse manipuloni faktet. O gënjeni ju, ose gënjen vendimi. Prokuror, juve personalisht duhet të njiheni me këto prova dhe t'i paraqisni, jo ato që keni në kokë". I akuzuari tjetër Avni Koldashi, tha se akuzat ndaj tij kanë prapavijë politike. Ai më pas këmbënguli në pafajësinë e tij duke thënë se, ka pasur mundësi të marrë azil politik jashtë vendit, por është kthyer në Shqipëri sepse nuk ka dashur të largohet.

“SHIK e rrëmbeu Hoxhën në punishten e tij”

TIRANE - Biznesmeni shqiptaro-maqedonas i duralumineve, Remzi Hoxha u rrëmbye në Tiranë më 1 tetor 1995 dhe u dërgua në bazën e vëzhgimit të SHIK në Vain të Lezhës. Në të njëjtën kohë me të, janë dërguar aty edhe biznesmeni sarandjot Ziso Kristopulli dhe kosovari Avdyl Loshaj. Sipas aktakuzës së ngritur ndaj katër të akuzuarve Arben Sefgjini, ish-drejtori i SHIK për degën e Tiranës, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve; Ilir Kumbaro ish-kreu i SHIK në Drejtorinë Qendrore; Avni Koldashi ish-shef i bazës së vëzhgimit dhe Budjon Meçe, ish-inspektor, ndaj tre personave të shoqëruar janë ushtruar tortura të vazhdueshme, derisa Hoxha ka vdekur. Më pas trupi i pajetë i tij është zhdukur, ndërkohë me këmbënguljen e familjarëve të tij, në Tiranë nisën hetimet dhe në vitin 2003 u arrestuan tre prej të pandehurve. Më pas, për shkak të mosgjetjes së provave organi i akuzës e pushoi çështjen për ta rihapur më pas atë, me ndërhyrjen e familjes Hoxha. Tashmë prokuroria pretendon se, ka siguruar prova të mjaftueshme në ngarkim të të pandehurve, duke ngritur ndaj tyre akuzat e "rrëmbimit me pasoja të rënda" dhe "torturë", konsumuar nga tre herë për secilin prej dhe që rëndohet nga bashkëpunimi. Nëse gjenden fajtorë për këtë vepër, tre të pandehurit rrezikojnë dënime që mund të shkojnë deri në burgim të përjetshëm. Sipas prokurorisë, ai është rrëmbyer teksa ndodhej në punishten e vet në rrugën "Siri Kodra" nga punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar, të cilët i kanë pohuar se do e dërgonin në polici. Por ndryshe nga kjo, makina me të cilën ai transportohej ka ndryshuar drejtim, sapo ka dalë në unazën e kryeqytetit dhe ka vazhduar drejt kryqëzimit të Zogut të Zi.              fa.ma

“Berisha mburojë e Sefgjinit”

Nënkryetari i grupit të PS-së, Erion Braçe, denoncoi qëndrimin e Kryeministrit Berisha, në të cilën nuk e shkarkonte drejtorin e Tatimeve, Arben Sefgjinin. "Në gjykimin tonë kryeministri mori një qëndrim cinik, të padenjë, si një baba, mori një qëndrim të papërgjegjshëm të një zyrtari në raport me ligjin, të një mjerani të denjë prej një fajtori; një qëndrim dredhues si të një vrasësi; një qëndrim të frikshëm prej kryeministri burracak që vepron dhe mendon se si t'i shmanget drejtësisë", deklaroi Braçe. Ai shtoi se, "kryeministri më parë, por edhe tani vendosi të jetë në anën e krimit shtetëror kundër qytetarit, në anën e shtetit vrasës kundër qytetarit viktimë". "Kryeministri Sali Berisha vendosi të jetë në anën e atyre që e pengojnë drejtësinë dhe e shantazhojnë atë kundër funksionimit të saj në mënyrë të pavarur. Kryeministri si dje dhe sot ka vendosur shtetin në favor të krimit, në mbrojtje të krimit dhe madje më të trembur, të atij që përdor shtetin shqiptar për të vrarë dhe për të zhdukur shqiptarë dhe patriotë, siç është Remzi Hoxha", theksoi Braçe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›