Udhëzimi i MASH, ja kur do të nisin masterat e part-time
Ministria e Arsimit publikon udhëzimin për vitin e ri akademik. Zyrtarisht sipas këtij dikasteri shkollat e larta do të nisin në datën 13 tetor dhe do të përfundojë më 30 shtator 2009. Ndërsa u përket programeve të studimit të ciklit të dytë dhe për programet e studimit “Master i nivelit të parë” me kohë të plotë, studimet do të fillojnë në datën 10 nëntor dhe do të mbyllen më 30 shtator 2009. “Të njëjtat afate janë vendosur edhe për studimet me kohë të pjesshme dhe ato në distancë”, tha Kule.
Udhëzimi mbërriti dje në të 11 universitetet publike të vendit. Ndërkaq përcaktohet se brenda datës 10 nëntor, të gjithë fakultetet do të njohin studentët me pjesët e statutit që përcaktojnë treguesit e programeve të studimit, rregulloren mësimore të fakulteteve dhe rregulloren e programit të studimit në të cilin ata janë regjistruar. Më tej kodet e studentëve të regjistruar në formë elektronike do t’i dërgohen MASH deri më 15 dhjetor. Për të gjitha nivelet e studimit, edhe përgatitja e regjistrave do të mbyllet deri në 10 tetor. “Brenda kësaj date do të miratohet edhe plani kalendarik i lëndëve që zhvillohen në programet e studimit me kohë të plotë, ndërsa kalendari i lëndëve në programet me kohë të pjesshme do të përfundojë më 6 nëntor”, thuhet në udhëzim. Sakaq Ministria e Arsimit ka nxjerrë edhe një udhëzim të posaçëm për rishpërndarjen e kuotave vakante në Universitetin e Tiranës (UT) dhe atyre të rretheve. Sipas tij, për të pranuar aplikantët e rinj do të zhvillohet një minimaturë shtetërore. Të interesuarit do të mund të përzgjedhin degët e përfshira në aneksin e formularit A2. Ky aneks do të përmbajë jo më 200 degë për të gjitha universitetet publike të vendit, por vetëm ato degë ku kuotat janë të paplotësuara. Aneksi i Formularit A2 është parë si metoda më e mirë për rishpërndarjen e fituesve sidomos nëpër rrethe. Edhe për këtë kategori fituesish do të aplikohet parimi meritë i preferencës, në mënyrë që fitues të shpallen kandidatët që kanë numër më të lartë pikësh. Fituesit e fundit do të kenë mundësi të ulen në auditorë në muajin nëntor. Për plotësimin e aneksit maturantët do të veprojnë njësoj si me Formularin A2. Por fillimisht për ta pasur në duar ata duhet të bëjnë një kërkesë me shkrim në shkollë. Ata do të rrethojnë degën që kërkojnë për kuotat e mbetura bosh. Nëse do të kenë pikët e mjaftueshme, do të shpallen fitues. z.ll