Nxënësit: Mësuesit kryejnë veprime të turpshme me ne
DURRËS – Mësuesit e shkollave 9-vjeçare i kanë “duart e gjata”. Kjo është deklarata e dhënë nga një senatore shkolle gjatë zhvillimit të Konferencës V të Parlamentit të Fëmijëve në Durrës, deklaratë e cila ka shkaktuar drithërima tek të pranishmit. Vetëm pak kohë pasi një vajzë e shkollës së mesme akuzoi për ngacmim seksual një mësues shkolle, tashmë problemi theksohet të jetë i pranishëm edhe në moshat më të reja. Senatorja 14-vjeçare foli për rreth 10 minuta lidhur me faktin se një pjesë e nxënësve në shkolla ndihen të kërcënuar pikërisht nga gjestet e ulëta të disa mësuesve që shfrytëzojnë në mënyrë të turpshme të miturit.
“Ata fillimisht na afrojnë, u pëlqejnë marrëdhëniet që vendosin me ne dhe, pasi mendojnë se ne jemi zhvilluar fizikisht, abuzojnë”. Këto ishin fjalët e senatores 14-vjeçare gjatë konferencës. Nuk ka dhënë emra, por i ka përballur të gjithë me ato që i ka cilësuar si fakte tashmë, duke qenë se ka dashur t’i nxjerrë si një shqetësim shumë i madh. Në diskutimin e saj është risjellë në vëmendje edhe veprimi i mësuesit 53-vjeçar S.N., i denoncuar nga një gjimnaziste për ngacmim seksual. Kërkesa për të vënë para drejtësisë mësuesit-abuzues shprehej qartë në diskutimin e 14-vjeçares, ndërsa para saj ndodheshin mësues e prindër.
Në Konferencën e Parlamentit të Fëmijëve u fol gjatë për dinjitetin e fëmijëve. Nxënësit u ankuan për fyerjet që u bëhen nga mësuesit e tyre apo edhe provokime lidhur me prejardhjen shoqërore, origjinën, ngjyrën e lëkurës, veshjet e tyre. Por nuk u la pa përmendur edhe festa e mësuesve. Nxënësit treguan se si mësuesit e tyre nuk kënaqeshin më me lule, por tashmë kërkonin veshje, orendi, bizhuteri të kushtueshme, “dhurata” të cilat ata duhet t’i paguanin patjetër, duke iu nënshtruar presioneve. Fëmijët kanë rrëfyer edhe për sjelljen jo të përshtatshme të mësuesve, kërcënimet, presionet, hakmarrjet apo edhe përdorimin e tyre për interesa personale. I pranishëm në diskutimet e nxënësve ishte edhe drejtori i arsimit të Durrësit, Vaso Papaji, i cili ka pohuar se problemet e ngritura qëndrojnë, ndërsa ika kërkuar Parlamentit të Fëmijëve vendime për të gjitha rastet e abuzimeve të bëra publike në këtë takim të nxënësve të moshës 10-15 vjeç.