Arrestimet e fundit në Kosovën Lindore, vazhdimësi e politikës antishqiptare
Barrikadimi i veriut të Kosovës nga strukturat kriminale serbe të dirigjuara nga Beogradi zyrtar, tensionimi i situatës ndëretnike me përmasa tragjike në Maqedoni, dhe së fundi burgosja e 8 shqiptarëve në Kosovën Lindore nga gjandarmeria serbe, nuk janë asgjë tjetër përpos edhe një përpjekje e përbashkët e Serbisë dhe Maqedonisë, për pastrim të ri etnik të shqiptarëve nga vatrat e tyre shekullore. Krejt pak shqiptarë kanë mbetur matanë Urës së Ibrit, të cilët që 13 vjet po i nënshtrohen dhunës së egër serbe. Dhe, pak kush po iu bie mbrapa këtyre banorëve dhe kësaj pjese të Kosovës.Përpos që janë izoluar nga këto struktura kriminale, ata edhe po vriten në shtëpitë e tyre. Jeta për ta tashmë është bërë e padurueshme. Kandidatura pa kurrfarë merite që mori Serbia për anëtarësim në strukturën e BE-së, e bëri edhe më agresiv Beogradin. Eksponenti i Millosheviqit, Ivica Daçiç, fill pas 7 marrëveshjeve të arritura së pari kidnapoi dy policë shqiptarë mbrenda territorit të Kosovës, dhe pastaj mori guximin dhe vrau në shtëpinë e vet Selver Haradinajn. Kloni i Millosheviqit ka ndryshuar paksa nga slogani i famshëm të vozhdit të tij i bërë në Kosovë më 1987 “Askush nuk lejohet t’ju rrahë ju”, një ngjarje që ishte hapi vendimtar drejt luftës së përgjakshme të ish-Jugosllavisë. Daçiç sot thotë “askush nuk lejohet t’ju gënjejë ju”. Ky shtet ende me logjikë vrastare, jo sa për fushatë elektorale siç po e cilëson shumë kush këtë agresivitet të ri të Serbisë, por qëllimi parësor i këtij shteti është zgjerimi me territore të reja siç e bëri këtë punë shumë herë deri me sot. Absurditetet nuk po kanë të ndalur. Çfarë logjike ka të mbahen çfarëdo qofshin zgjedhjesh brenda një shteti ndërkombëtarisht i pranuar siç është Kosova. Zgjedhjet e 6 majit me bekimin e bashkësisë ndërkombëtare ka mundësi ta komplikojnë edhe më shumë situatën politike. Ndërkaq, nëse praktika që po ndiqet në Kosovë për mbajtjen e zgjedhjeve serbe qenka e "drejtë", a nuk u lind e drejta edhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës të kërkojnë të njëjtën gjë? Pra, të votojnë edhe ata në kuadrin e zgjedhjeve të përgjithshme apo presidenciale në Kosovë?!
Serbia po përdor të gjitha mjetet për ndarjen e Kosovës. Edhe arrestimi i 8 shqiptarëve gjoja për akuza të krimeve të luftës, është vetëm pretekst për pastrim etnik, paralelisht me spastrimin e shqiptarëve në veri të Mitrovicës. Spektakli i krijuar nga xhandarmëria serbe me rastin e arrestimit të shqiptarëve në Kosovën Lindore, ka për qëllim për të futur panik dhe terror në mesin e shqiptarëve. Prezenca e skajshme ushtarake në Kosovën Lindore është bërë për t’i bërë presion edhe Kosovës dhe për të trazuar rajonin sa herë Serbisë i leverdisë kjo gjë. Shqiptarët në Kosovën Lindore janë privuar nga çdo e drejtë. Lidhur me arrestimet e fundit, shqiptarët organizuan protesta paqësore, duke kërkuar ndalimin e një fushate antishqiptare të cilën po e bën Beogradi. Protestuesit apeluan tek autoritetet e Beogradit që të ndalin politikën diskriminuese dhe antishqiptare, kanë kërkuar njëkohësisht edhe ndërhyrjen ndërkombëtare në Luginë si masë preventive për pengimin e eskalimit të situatës në rajon.
Për arrestimet e fundit reaguan edhe Tirana dhe Prishtina zyrtare duke shprehur shqetësimet e tyre. Kryeministri Berisha këto arrestime të shqiptarëve i cilësoi si terror. Qeveria shqiptare dënon me ashpërsi siç thuhet arrestimet, keqtrajtimet, bastisjet e shqiptarëve nga falangat serbe në Luginën e Preshevës. Kreu i qeverisë shqiptare kërkoi që të ndalohen këto akte të shëmtuara të autoriteteve të Beogradit që me dhunë dhe terror, duan të pengojnë shqiptarët të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Në anën tjetër sllavomaqedonët sigurisht të ndihmuar nga serbët, arrestuan 20 shqiptarë në mesin e tyre edhe 8 femra dhe ende pa u nisur hetimet i akuzuan ata si fondamentalistë islamikë e terroristë, terminologji kjo me të cilat ishte shërbye edhe kasapi i Ballkanit, kryekrimineli i luftës, Sllobodan Millosheviqi me rastin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Ne mesin e të arrestuarve ka gra, bujq e pleq .Këto arrestime bien ndesh me deklaratën e kryeministrit Nikolla Gruevski se pas hetimit paraprak të kryer është konstatuar se vrasësit janë profesionistë dhe të stërvitur mirë. Por nga ajo që mësohet se kush janë të arrestuarit del krejt ndryshe nga hetimet paraprake. Vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit e kanë kryer shërbimet sekrete te Serbisë dhe të Maqedonisë, me qëllim që faji pastaj të bjerë mbi shqiptarët. Me raprezaljet e tipit millosheviçian siç është duke vepruar pushteti i Maqedonisë, vështirë që ky shtet do të ketë jetë të gjatë. Edhe në Maqedoni u mbajtën protesta të shqiptarëve para qeverisë së këtij shteti. Protestuesit e bënë me dije pushtetin shovinist maqedon se nuk do t’u lejohet të luajnë si të dojë me shqiptarët në këtë republikë. Nëse serbët dhe maqedonët mendojnë se me këto veprime të ndyra do t’i realizojnë lehtë projektet shoviniste, atëherë do të gabohen. Dhe, natyrisht se në rastin më ekstrem serbo-maqedonasit të cilët janë duke lozur me zjarr në këtë pjesë të Evropës dhe të botës, nuk besoj se do të dalin fitues. Nuk do të lejohet që Serbia, të shumëfishojë territorin siç e kishte bërë këtë gjë sidomos pas firmosjes së traktatit të Bukureshtit. Jetëgjatësia dhe stabiliteti, edhe kur bëhet fjalë për shtetet artificiale nuk ja kanë dalë mbanë të ketë një përjetësim. Rasti i Serbisë nënshkruhet në traditën e ekspansionizmit sllav, i ngjashëm deri diku me strategjitë diplomatiko-ushtarake të Rusisë. Askush më shumë se banorët e sotëm të Ballkanit nuk mund të dëshmojnë për pasojat e doktrinës së ultranacionalizmit serb, pikënisja e së cilës daton me platformën e Garashaninit dhe projekteve të tjera shfarosese karshi shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor. Shqiptarët gjithmonë ishin dhe janë faktorë stabiliteti në rajon, por në rast së situata degradon, faktori shqiptarë s’duhet të gjendet i papërgatitur e duarlidhur, për të përmbushur detyrën kombëtare në mbrojtjen e bashkëkombësve kudo që ata ndodhen...