Arrestimet, tani mund të verifikohet “personi i tretë” i takimit
Arrestimi i Efraim Diverolit dhe Aleksandër Podrizkit mbart një element shumë të rëndësishëm lidhur me dimensionin shqiptar të këtij skandali. Këta dy persona kanë qenë në takimin me Ylli Pinarin dhe Mihal Delijorgjin, ndërsa dy shqiptarët iu kërkuan atyre që të pranonin pa kushte futjen në lojë të firmës “Evdin ltd”. Por sikurse ka deklaruar në media biznesmeni Kosta Trebicka, në takim ka qenë dhe një person i tretë, që sipas Trebickës, fliste vetëm shqip dhe pa miratimin e të cilit Delijorgji dhe Pinari nuk negocionin dot për asnjë gjë. Sikurse ka deklaruar Trebicka nga shantazhet e Pinarit, i cili pretendonte se në lojë kishte hyrë “djali i kryeministrit” atyre iu krijua ideja se mund të ishte djali i kryeministrit shqiptar në atë takim, pra zoti Shkëlzen Sali Berisha. “Zoti Pinari i kishte thënë Diverolit se në këtë mes i interesuar është zoti Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit. Natyrshëm e kuptova që situata ishte agravuar duke besuar se zoti kryeministër nuk mund të ishte i përfshirë në këto afera korruptive dhe unë akoma e besoj. Kërkova ta takoj vetë zotin Shkëlzen dhe ta pyes sy për sy, vetë, nëse ai ishte i përzierë në afera të tilla siç pretendonin zoti Pinari dhe zoti Mediu. Dhe a ishte ai i gatshëm të ballafaqohej me përfaqësuesin amerikan në Shqipëri, zotin Aleks Podrizki nëse ka qenë në një takim të tipit mafioz, apo jo? Biseda jonë ka qenë e fokusuar vetëm te roli i zotit Shkëlzen në takimin mafioz që u bë mes Delijorgjit, Pinarit e Diverolit. Zoti Shkëlzen u tregua shumë i gatshëm dhe më tha që “unë nuk kam asnjë ndërlikim me këto klane mafioze” dhe u tregua i gatshëm që të ballafaqohej në çdo moment me zotin Aleks Podrizki dhe Diverolin dhe të diskutohej rreth këtij aludimi. Unë e besova. Nuk desha ta ngatërroja në skema të tilla. E besova përfundimisht. Por e paralajmërova zotin Shkëlzen se dokumentet do të kalojnë në dispozicion të investiguesve specialë që do të vijnë nga Roki Aljend, nga Departamenti i Armatimit, të cilët nuk do të vononin të nisnin investigimet për këtë skandal në Shqipëri”, - ka deklaruar Trebicka në intervistën e tij të parë për televizionin “News 24”. Këto fjalë të Trebickës duket se hapin dy dyer të reja për hetuesit. Së pari, Diveroli dhe Podrizki mund të pyeten lidhur me personin e tretë të takimit dhe t’u vihet në dispozicion ndonjë fotografi e personit të aluduar (djalit të kryeministrit). Ndërkohë që në këtë pohim Trebicka është shprehur se jo vetëm Pinari, por edhe ish-ministri Mediu kishin pretenduar se frenat e lojës i kishte djali i kryeministrit. Ndoshta ky pohim e bën edhe më emergjente nevojën e ballafaqimit të personave në kushtet kur, sipas Trebickës, jo vetëm një drejtor si Pinari, por edhe një ministër si Mediu kanë artikuluar prezencën e djalit të kryeministrit.
23 Qershor 2008