E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, tani hetimet nën kontrollin e Kongresit Amerikan

Ditën e martë, seanca e parë hetimore për firmën “AEY”. Mediat paralajmërojnë implikimin e zyrtarëve të lartë

Habjon Hasani
Nëse për kryeministrin shqiptar gazeta ”New York Times” ishte një letër higjienike, tani ngelet për t’u parë se çdo të jenë për Kongresin Amerikan letrat e qeverisë shqiptare, e cila rezulton e implikuar në skandalin e fishekëve me Afganistanin. Është pikërisht kështu, Kongresi Amerikan do të marrë frenat e hetimit të kontratës së firmës “AEY” me Pentagonin dhe në datën 24 qershor do të zhvillohet dhe seanca e parë. Madje, mediat amerikane kanë paralajmëruar një hetim integral të kësaj çështjeje, ndërsa sinjalet duket se janë dhënë që me arrestimin e katër drejtuesve të firmës “AEY” me në krye drejtuesin e saj, Efraim Diveroli. Çështja tashmë i ka kaluar ”Jurisë së Madhe” të Kongresit, e cila, pasi ekzaminon faktet dhe dëshmitë, del me një raport në fund, e nëse gjen në konkluzionet e saj shkelje apo veprime kriminale, i hap rrugën Prokurorisë të nisë hetimin penal të çështjes. Pas arrestimi të së premtes, ditën e djeshme, gazeta ”New York Times” ka publikuar një artikull shumë kuptimplotë, ku kongresmeni i fuqishëm demokrat, Henri Uaksman, ka deklaruar se arrestimi i krerëve të “AEY”-së ishte një zhvillim shumë domethënës. Por kongresmeni i mirënjohur amerikan mund të ketë lënë të kuptohet se pas ”Diverolëve të arrestuar” mund të fshihen aktorë më të fuqishëm, kur ka deklaruar se ”sa më shumë fakte mësojmë për kompaninë ‘AEY’, aq më shumë pyetje na lindin”.
Hetimi
Ajo çka denoncoi gazeta ”New York Times” dy muaj më parë nuk i ka shpëtuar vëmendjes së autoriteteve amerikane, të cilat pak kohë më parë e kanë marrë në pyetje dhe biznesmenin shqiptar, Kosta Trebicka. Marrja në pyetje e Trebickës sjell automatikisht në vëmendje edhe Shqipërinë, pasi firma e hetuar “AEY” pati probleme serioze me palën shqiptare, e cila i kërkoi asaj që të fuste një firmë ndërmjetëse që do të përfitonte 18 USD për çdo arkë me fishekë, e që ishte firma ”Evdin ltd”. Por duket se ngjarjet i lidh një personazh që del në të dyja aferat (kontratat e fishekëve dhe Gërdecin), ai është Mihal Delijorgji. Biznesmeni Delijorgji ka qenë prezent dhe në infiltrimin e firmës “AEY”, por edhe president i firmës ”Albdemil”, që survejonte punimet në Gërdec. Sakaq, bashkëpunimi i FBI-së me Prokurorinë shqiptare duket se e bën të pashmangshëm hetimin e palës shqiptare, të përfshirë jo vetëm në skandalin e fishekëve.
Dy pista
Një tjetër komitet i Senatit Amerikan po heton Efraim Diverolin jo për aferën e fishekëve kinezë, por për parregullsinë e kontratave të tij me administratën amerikane. Xhon Kerri, në cilësinë e kryetarit të Komitetit të Senatit për Bizneset e Vogla dhe Sipërmarrjet, kërkoi pak kohë më parë shpjegim nga administrata “Bush” se përse firma “AEY” e milionerit Diveroli u klasifikua si biznes i vogël nëpër dhjetëra kontrata federale, kur në fakt nuk ishte i tillë. Biznese të tilla merren në mbrojtje nga diskriminimi dhe u sigurohen kontrata federale. Kerri i dërgoi një letër Departamentit të Mbrojtjes dhe të Shtetit për t'i kërkuar sqarime se përse ekspertët e tyre nuk kishin kontrolluar në bazën e të dhënave të bizneseve të tyre, ku sigurisht do të kishin zbuluar se “AEY” nuk klasifikohej dhe as kishte kërkuar ndonjëherë të favorizohej si biznes i tillë. Departamentet shpjeguan pak ditë më parë se kjo kishte ndodhur për faj të një gabimi në kode, por për Kerrin një keqklasifikim i tillë me 49 kontrata të njëpasnjëshme është i pamundur. Pas shfaqjes si biznes i vogël, Diveroli mësohet të ketë fituar 204 milionë dollarë, nga rreth 8 milionë që kishte më parë. Komiteti do të hetojë nëse “AEY” mori një trajtim preferencial. Kontrata me Pentagonin tashmë i është ndërprerë, pasi Diveroli ndodhet nën hetim nga agjencitë federale.
Abuzimet
Dokumentet nga Shqipëria tregojnë se “AEY” bleu më shumë se 100 milionë fishekë kinezë që kishin qenë magazinuar prej dekadash në ish-depot e Luftës së Ftohtë. Fishekët ishin prodhuar jo më vonë se viti 1960. Diveroli atëherë rregulloi që ato të ripaketoheshin në kuti kartoni, shumë prej të cilave ishin të çara ose të dekompozuara pas transportit në zonat e luftës. Lloje të ndryshme të municioneve ishin përzierë. Në disa prej arkave municionet ishin të papastra dhe të ndryshkura. Kërkesa e re e Ushtrisë amerikane specifikon që municioni nuk duhet të jetë me pak se 20 vjet i vjetër, në paketim të qëndrueshëm dhe në kushte të përshtatshme. "Secila paketë do të përmbajë të njëjtin tip municioni", - përcakton Ushtria amerikane. Sipas këtyre rregullave, materiali duhet të jetë i lirë nga papastërtitë dhe nga infektuesit e tjerë, të cilët do të kontribuonin në shkatërrimin e tij ose do të kërkonte të pastroheshin nga klienti përpara përdorimit. Një tjetër pikëpyetje në lidhje me këtë çështje është se si mundi Efraim Diveroli të merrte kontrata federale në moshën 19-vjeçare dhe si mundi të vazhdonte të qëndronte në biznes kaq gjatë. Një vit më parë zyra e firmës “AEY” ishte kontrolluar nga agjentët federalë dhe kompjuterët së bashku me regjistrat e firmës u konfiskuan. Por autoritetet kontraktuese të Ushtrisë vazhduan të punonin me të.

23 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›