Rama: “Afati dyjavor i Strasburgut për zgjidhjen e krizës është ultimativ”
Eneida Jaçaj
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje se është koha e zgjidhjes së problemit të transparencës së zgjedhjeve duke theksuar se afati dyjavor i dhënë nga ndërkombëtarët ka përmbajtje ultimative. Në këtë kuadër, Rama i kujtoi kryeministrit Sali Berisha që të mos vonojë, por të tregojë vullnet për të shkuar drejt zgjidhjes. Sipas tij, maxhoranca nuk ka pse t’i krijojë hapësira opozitës në kërkesën e saj për hapjen e kutive, pasi këtë ia garanton ligji. Lideri i opozitës deklaroi se nuk do ta marrë në konsideratë nenin 178, pika 6 të Kodit Zgjedhor, ashtu siç pretendon maxhoranca. Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, Rama është ndalur dhe në çështje të tjera, si liberalizimi i vizave dhe gjobat politike ndaj bizneseve. Rama theksoi se edhe opozita ka dhënë kontributin e saj në liberalizimin e vizave.
Ultimatumi
Për Ramën zgjatja e konfliktit për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit do të mbartë me vete kosto të mëdha për vendin. “Qeverisë nuk i kërkon kush të kërkojë hapësira për opozitën, por të mos e pengojë opozitën të bëjë transparencën. Në këtë vend askush nuk duhet të ndalojë të drejtat që i jep Kushtetuta. Është koha e zgjidhjes së krizës me transparencë e urtësi, pasi afati i dhënë nga Strasburgu është ultimativ. Na është thënë fare shkoqur se çfarë kostoje do të kishte për vendin moszgjidhja e krizës brenda këtij afati”, - deklaroi Rama. Ai theksoi se në këtë vend askush nuk mund të ndalohet të gëzojë lirinë që i jep Kushtetuta dhe të ushtrojë të drejtat që i jep ligji dhe se këtij vendi nuk mund t’i imponohet dot nënshtrimi ndaj një pushteti të vjedhur që s’ka as kurajë dhe as vullnet të bëjë transparencën e zgjedhjeve nga kanë dalë. “Berisha as e mishëron, as e përfaqëson sovranitetin e vendit, po thjesht drejton një prej pushteteve kushtetuese të këtij vendi sovran, ku kryeministrit nuk i ka dhënë as Kushtetuta, as ligji dhe aq më pak pastaj populli, ndonjë mandat për të folur a për t’u sjellë si të ishte naltmadhnia ynë, ose akoma më keq, për të vepruar kundër Kushtetutës, ligjit dhe interesave publike apo private të kujtdo shqiptari”, - u shpreh Rama.
Vizat
Ndërsa në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave Rama i bëri thirrje Berishës të mos e pengojë më tej këtë proces për shqiptarët. Sipas kreut të opozitës, Europa kërkon plotësimin e disa standardeve, dhe kjo është detyrë e qeverisë. “Berisha flet për premtime të mbajtura, ndërsa Europa flet për plotësim kushtesh. E ftoj Berishën të mos ua pengojë më shumë këtë proces shqiptarëve. Heqja e kufijve nuk mund të kryqëzohet me asgjë dhe me kurrgjë. Shqiptarët e dinë fare mirë përpjekjen që opozita ka bërë për liberalizimin e vizave”, - theksoi Rama.
Një pikë tjetër kyçe ku u ndal kreu i selisë rozë ishte vënia e “gjobave politike”, siç i quajti ai në dëm të bizneseve dhe sipërmarrjes private. “Po shkelen liritë e sipërmarrjes për arsye politike, vendosen gjoba politike mbi sipërmarrjen. Ky pushtet vepron në bazë të një liste që godet me forcë dhunuese. Bëj apelin për ata që vënë gjoba politike të mos e shkelin ligjin për bukën e qeverisë”, - deklaroi Rama.
29 Maj 2010