E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestimi i Diverolit, Berisha dhe Mediu tani duhet të blejnë të paktën FBI-në



Poli Hoxha

Pikërisht dy ditë pas dorëzimit të grevistëve të Gërdecit, të zhvendosur më kot te shkallët e kështjellës së Berishës, dhe vetëm disa orë pas ultimatumit të fundit të ambasadori amerikan në Tiranë, dosja më e zezë e demokracisë shqiptare në këndvështrimin politik, korruptiv, moral dhe veçanërisht në atë human, pra ajo e “Gërdecit”, jo edhe aq në mënyrë të papritur është zhvendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është e sigurt që lajmi i hedhur bujshëm dje nga mediat për arrestimin e 22-vjeçarit Efraim Diveroli ka ngjallur gëzim, pështjellim dhe frikë në klasën politike dhe atë qeverisëse të Tiranës. Tani “topi” për këtë çështje nuk është më në fushë të tyre. Të asnjërës palë. Qoftë të asaj që kërkonte “thellim” të hetimit dhe çuarjen përpara drejtësisë të autorëve të tragjedisë, qoftë të Berishës, Mediut dhe aq më shumë të Pinarit, që edhe pse ka kaq muaj prapa hekurave, duket se nuk ka qenë edhe aq i shqetësuar. Por e gëzuar nuk ka sesi të jetë as kryeprokurorja Ina Rama. Më i pakti përjetim pas këtij lajmi për atë besoj është ai që duhet të “trembet” për përgjegjësinë që ka që sot e tutje së bashku me stafin, për mënyrën sesi do të hetojnë dhe do të çojnë në gjykatë dosjen “Gërdeci”. Pra e ashtuquajtura “lufta e egër” mes opozitës dhe pozitës për zbardhjen e tragjedisë dhe më së shumti të aferave korruptive që e shkaktuan atë, tani e tutje nuk mund të ekzistojë. Loja e stërzgjatur e kryetares së Parlamentit Topalli dhe rreshtorëve të shumicës për çështjen e imunitetit të Fatmir Mediut, sot tingëllon fiks si përralla e Piter Pan-it. Vetëm fundi s’kishte sesi të ishte ai…. Por edhe “këmbëngulja” e opozitës për të njëjtën çështje është po aq naive sa klithmat bubullitëse, por të ngrohta nga epshi, të prostitutës që po “përdhunohet”. Në të njëjtën llogore gëzim-zhgënjimi janë edhe ata që e fokusuan dosjen “Gërdeci”, thjesht si një tragjedi të madhe. Si një vrasje masive të popullatës së pafajshme, të paditur, të patrajnuar, të pasiguruar, e cila duhet zhdëmtuar me para e shtëpi…. Paralajmërimi ishte dhënë. Të paktë ishin ata që e lexuan Gërdecin në mënyrë globale. Nuk bëhej fjalë thjesht për një krim me pasojë vrasje masive në Shqipëri, e lejuar nga makutëria korruptive e shtetit. Bëhej fjalë për një korrupsion që niste me njerëz që “përfaqësonin” Pentagonin. Por që të realizohej shpejt dhe thjesht duhej një vend me një qeverisje aq makute, saqë edhe vdekjen e qytetarëve të vet mund ta shndërrojë në para, pa asnjë lloj vrarje ndërgjegjeje. Kur Berisha dhe Mediu deklaronin në pozicionin e “viktimës” se “nuk kishin dijeni për Gërdecin”, thjesht harronin si pasojë e trurit të trashur prej megalomanisë së pushtetit dhe sidomos prej alibisë se kjo çështje “ishte thjesht shqiptare”. Nuk janë edhe aq thashetheme ato që projektuesit e trafikut të Gërdecit përhapnin poshtë e përpjetë nëpër Tiranë se s’ka amerikanë në këtë mes…. Përndryshe do të kishte arrestime edhe atje… dhe tani ju doni edhe kokën e ministrit të Mbrojtjes dhe të vetë kryeministrit?! Por nuk i kuptuan mesazhet e vazhdueshme të ambasadorit të SHBA-ve. Tani në dorë i ka të paktën FBI-ja. Tani çdo gjë fillon te burimi. Te katër njerëzit që me një zyrë në katin e dytë të një moteli në Miami Beach, me moshë mesatare 24 vjeç, mashtruan Pentagonin për 300 milionë dollarë. Por gjithmonë duke marrë si garanci miqtë “mafiozë” me pushtet në Tiranë. Krimi tashmë është kthyer në orgjinë. Pra te ustallarët që e “hëngrën” vetë së pari dhe u degjeneruan në të gjithë globin nga gazeta e tyre prestigjioze “The New Jork Times”. Ditën e martë (pasnesër), në Kongresin Amerikan do të ketë një seancë speciale hetimore për këtë trafik që nisi aty dhe u realizua në Tiranë me pasojë edhe Gërdecin, dhe abuzim me fondet e taksapaguesve amerikanë. Tanimë Berishës nuk i hyjnë në punë anëtarët e Gjykatës së Lartë, as Jozefina Topalli, as ushtarët e tij deputetë nga e djathta dhe e majta… Atij i duhet të blejë dëshminë e Diverolit në Kongres, ose gjithë Kongresin dhe FBI-në. Në rast të kundërt, rroftë ose mjerë Berisha…

23 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›