Avokati i Diverolit: ”Nuk ka shkelje me fishekët”
Menjëherë pas arrestimit të Efraim Diverolit, gazeta amerikane që zbuloi skandalin ka kontaktuar me një prej avokatët e tij, të quajtur Hauard Srebnik, ndërsa i ka kërkuar prononcim lidhur me këtë zhvillim. Pas kontaktimit avokati Srebnik i ka kthyer kësaj gazete një përgjigje me e-mail, ku shprehej i sigurt se në rastin e fishekëve të marrë nga Shqipëria nuk bëhej fjalë për shkelje të embargos së armëve të vënë nga SHBA-të kundrejt Kinës. “Kjo embargo është vënë nga shteti amerikan në vitin 1989, pas ngjarjeve që ndodhën në sheshin Tienmen” në Kinë. Por fishekët që ka marrë klienti im në Shqipëri është e vërtetë që janë prodhuar në Kinë, por në vitet 1960-1970, pra në kohën kur embargoja nuk ekzistonte”, - është deklaruar avokati i Diverolit. Por, ndërsa avokati i Diverolit ka përdorur si mbrojtje krahasimin e datës së prodhimit dhe të embargos, një fakt që ai nuk mund ta mohojë është se Diveroli deklaronte në SHBA se fishekët që siguronte nga Shqipëria prodhoheshin pikërisht në Shqipëri, pra nuk bëhej fjalë fare për fishekë kinezë, sipas tij. Ndërkohë që avokatët e tre të arrestuarve të tjerë nuk kanë bërë asnjë koment lidhur me zhvillimet, por edhe vetë këta tre të arrestuar kanë shmangur në mënyrë permanente prononcimet gjatë kohës që ishin të lirë.
23 Qershor 2008