E Diel, 1 Nëntor 2026

“Qeveria duhet të tregohet e kujdesshme për hapat që ndërmerr”

Flet ambasadori Britanisë së Madhe në Tiranë, Fraser Wilson

Enkelejda Mema

Ambasadori Britanisë së Madhe në Tiranë, Fraser Wilson, komenton procesin e dhënies së vizave nga përfaqësia diplomatike që ai drejton si dhe situatën politike në Shqipëri. Sipas zotit Wilson, ka pakësim të numrit të vizave të dhëna në vitin 2007 krahasuar me 2006-n, ndërsa aktualisht përfitojnë vizë rreth 50 për qind e aplikuesve. Sipas tij, vendosja e kontrollit biometrik pranë Ambasadës Britanike dhe politika e re dhe e fortë e Agjencisë britanike të Kufijve ka sjellë për momentin një ulje të numrit të vizave. Zoti Wilson tërheq vëmendjen për plotësimin korrekt të dokumentacionit, pasi ato janë të rëndësishme në dhënien e përgjigjes pozitive ose negative për kërkuesit e vizave. Duke komentuar zhvillimet politike në Shqipëri, ambasadori i Britanisë së Madhe shprehet: “Zhvillimet politike mund të them që në këto momente janë shumë interesante. Heqja e imunitetit për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është e rëndësishme”. Duke ndjekur zhvillimet për dekretet e presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë, Wilson thotë se “qeveria duhet të veprojë në mënyrë kushtetuese dhe të tregohet e kujdesshme për hapat që ndërmerr”.
Zoti ambasador, a është rritur numri i vizave gjatë kohës që ju jeni përfaqësuesi i Britanisë së Madhe në Tiranë?
Në fakt ndodh e kundërta. Në vitin 2006 u kemi dhënë vizë 75 për qind të të interesuarve, ndërsa në vitin 2007, 70 për qind të aplikuesve. Vendosja e kontrollit biometrik pranë ambasadës tonë dhe politika e re dhe e fortë e Agjencisë britanike të Kufijve ka sjellë për momentin një ulje të numrit të vizave. Aktualisht ne aprovojmë 50 për qind të aplikimeve. Një tjetër arsye është edhe plotësimi i duhur i dokumenteve, pasi ato janë të rëndësishme në dhënien e vendimit.
Cilat janë arsyet e refuzimit të vizave?
Varet nga lloji i aplikimit nëse kemi të bëjmë me një vizë për studentë, turistike apo për martesë. Dua të them që ka kritere të ndryshme për çdo aplikim. Ato vlerësohen sipas rastit. Rrethanat personale janë shumë të rëndësishme. Një nga gjërat që dua të theksoj është plotësimi i dokumenteve, pasi ato janë shumë të rëndësime në marrjen e vendimit. U këshilloj të gjithë aplikantëve të shohin me kujdes udhëzimet në faqen tonë të internetit përpara se të aplikojnë.
Në fakt, z. Ambasador, në një studim të fundit të Lëvizjes Europiane në Tiranë, Ambasada Britanike renditet mes disa ambasadave që refuzojnë pa arsye pajisjen me vizë. A mund të themi se po praktikohet emigracioni selektiv, duke parë së kush janë personat që aplikojnë, çfarë arsimi kanë dhe nga vijnë...?
Çdo aplikim vlerësohet sipas meritës së tij. Aplikuesit trajtohen njësoj, por janë rrethanat ato që ndryshojnë nga njëri rast në tjetrin. Detyra e punonjësve të ambasadës është të bëjnë shumë pyetje për të zbuluar çdo detaj të udhëtimit drejt Britanisë së Madhe. Për këtë arsye ne kemi vendosur pajisjet biometrike, që i identifikojnë njerëzit shumë qartë. Një tjetër masë është politika e Agjencisë së Kufijve, që do të thotë që çdokush që ka shkelur ligjet e emigracionit në të kaluarën, do të mbajë përgjegjësi.
Si do t’i komentoni zhvillimet e fundit politike në Shqipëri dhe veçanërisht vendimin e Parlamentit për t’i hequr imunitetin ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe votën kundër dekreteve të presidentit për anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë?
Si ambasador i ndjek me shumë vëmendje zhvillimet politike, madje mund të them që në këto momente janë shumë interesante. Heqja e imunitetit për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është e rëndësishme. Gjithashtu kam ndjekur edhe zhvillimet për dekretet e presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Qeveria duhet të veprojë në mënyrë kushtetuese dhe të tregohet e kujdesshme për hapat që ndërmerr. Njerëzit që janë përgjegjës, të lejohen të bëjnë mirë punën e tyre. I kemi ndjekur dhe do të vazhdojmë t’i ndjekim.

23 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›