E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestimi i Diverolit, shanse për hetimin e firmës fantazmë “Evdin ltd”



Djaloshi 22-vjeçar, Efraim Diveroli, i cili tronditi Pentagonin dhe Shqipërinë dy muaj më parë, është arrestuar mëngjesin e së premtes së kaluar në shtëpinë e tij në Majami Biç. Emri i tij bëri xhiron e botës kur prestigjiozja “New York Times” zbuloi se Diveroli jo vetëm kishte fituar një kontratë prej 33 milionë dollarësh për furnizimin e ushtrisë afgane, por i kishte furnizuar ata me armë dhe fishekë të skaduar, të vjetër, rusë dhe kinezë. Pikërisht në këtë pikë është bërë pjesë e skandalit edhe Shqipëria. Një pjesë të mirë të këtyre fishekëve dhe municioneve të vjetra Diveroli i ka blerë në Shqipëri, ndërsa sikurse u vërtetua, zyrtarët shqiptarë duket se e “i vunë gjobë” Diverolit duke futur në lojë firmën fantazmë “Evdin ltd”, e cila luante rolin e ndërmjetësit dhe merrte një pjesë të mirë të parave që kishte lëvruar Pentagoni. Ndërhyrja e firmës “Evdin ltd” duket se ka qenë dhe pika e kthesës së skandalit, pasi me hyrjen e kësaj firme në lojë u përjashtua firma “Xhoi” e biznesmenit Kosta Trebicka, e cila përgjigjej për paketimin e municioneve. Në këtë moment Trebicka ka regjistruar të gjitha telefonatat që ai kryente me Diverolin (ky i fundit e kishte pajtuar që në fillim), ndërsa përmbajtja e bisedave linte të kuptohej se në fakt ndërhyrjen e kishte bërë djali i kryeministrit shqiptar. Diveroli ka ardhur në Shqipëri për të sqaruar marrëdhëniet e biznesit me kreun e “MEICO”-s, Ylli Pinari, ndërsa ky i fundit e ka takuar Diverolin në një apartament me biznesmenin Mihal Delijorgji dhe një tjetër person ende sot i paidentifikuar. Sipas Trebickës, ka qenë pikërisht ky takim ku Pinari dhe Delijorgji kanë kërkuar që një pjesë e parave të shkonte për llogari të firmës fantazmë-seksere “Evdin ltd”. Pak kohë më parë mediat shqiptare botuan të plota përgjimet e bisedave mes Trebickës dhe Diverolit, ku ky i fundit i etiketonte negociatorët e Ministrisë së Mbrojtjes si “albanian mafia”. Por pak ditë më parë Ministria e Mbrojtjes pretendoi se kishte një kontratë të rregullt me firmën “Evdin ltd” dhe në këto kushte arrestimi mund të zbardhë dhe personat e vërtetë që mund të fshihen pas kësaj firme, që fitonte gati po aq sa vetë Diveroli nga shitja e municioneve.

27 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›