E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyrtare, akuzat e prokurorëve ndaj Efraim Diverolit dhe “AEY”-së

Zbardhet për herë të parë vendimi i Gjykatës së Floridës. Këto akuza çuan në arrestimin e katër krerëve të “AEY”-së

Akuzat dhe pretendimet e prokurorëve të Majamit në Florida e bindën gjykatën e këtij shteti për t’u hedhur prangat katër drejtuesve të kompanisë “AEY” me në krye Efraim Diverolin. Verifikimi i municioneve të mbërritura në Afganistan dhe konfiskimi i bisedave elektronike me e-mail mes të pandehurve ka hedhur dritë për dijeninë dhe vullnetin e tyre të plotë për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga tregtia e armëve. Gazeta “Albania” zbardh për herë të parë vendimin e gjykatës, i cili ndër të tjera hedh dritë lidhur edhe me implikimin e zyrtarëve të MEICO-s në procesin e falsifikimit dhe trukimit të etiketave të municioneve. Pas arrestimit të Diverolit, autoritetet amerikane, por edhe ato shqiptare, do të kenë tashmë më shumë mundësi për të mësuar më shumë lidhur mbi këtë skandal nga dëshmitë e tij dhe drejtuesve të tjerë të arrestuar të “AEY”-së.

TË PËRGJITHSHME

1. Shoqëria e pandehur “AEY”, e angazhuar në aktivitetin e prokurimit të armëve dhe municioneve. “AEY” ndodhet në shtetin e Floridës dhe selia e saj qendrore ka qenë në Majami Biç, Florida.

2. I pandehuri Efraim Diveroli është një rezident në Shtetet e Bashkuara, është pronar i kompanisë “AEY” dhe ka administruar dhe drejtuar gjithë aktivitetin e firmës “AEY”.

3. I pandehuri Dejvid Pakauz është drejtor dhe zëvendëspresident i firmës “AEY”.

4. I pandehuri Aleksandër Podrizki ka qenë një përfaqësues i “AEY”-së i, stacionuar në Tiranë, Shqipëri.

5. I pandehuri Ralf Merrill ka qenë një ortak i Efraim Diverolit dhe një asistent në biznesin e tij.

6. Në Shtetet e Bashkuara, Departamenti i Armëve (në vazhdim do ta quajmë Ushtria) është një agjenci e Shteteve të Bashkuara.

7. Rreth datës 28 korrik 2006 Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nxori një lajmërim (W52P Nr. 15-06-R-0) duke kërkuar oferta për një kontratë për furnizimin me armë për Republikën Islamike të Afganistanit.

8. Rreth 20 shtatorit 2006 “AEY” prezantoi një paketë ofertash lidhur me shpalljen e Ushtrisë Amerikane. Më vonë, rreth 17 tetorit të vitit 2006, “AEY” paraqiti një version të rishikuar të ofertës së tyre, ku çmimi që kërkohej për të përmbushur kërkesën e Ushtrisë amerikane shkonte rreth 298 milionë dollarë.

9. Rreth 29 janarit të vitit 2007, Ushtria aprovoi kontratën e parë (Nr. W5P1 J-07-D0004) për sigurimin nga ana e “AEY”-së e një sasie me tipa të ndryshëm municionesh.

10. Kontrata e detyronte “AEY”-në të siguronte vetëm municione të vlefshme. “AEY”-së iu kërkua gjithashtu të konfirmonte dijeninë e saj për Ligjin nr. 252.225-7007, që e pengonte “AEY”-në të siguronte municione kineze.

NUMËR 1
(Komplot kundër SHBA-ve)

1. Paragrafët nga 1-10 janë në përputhje të plotë me dokumentacionin që u bashkëlidhet akuzave dhe janë konsideruar si më poshtë.

2. Në prill të vitit 2007 (data ekzakte është e panjohur për jurinë) në Majami Ded Kounty, në distriktin jugor të Floridës dhe në të tjera vende, të pandehurit Efraim Diveroli, Dejvid Pakauz, Aleksandër Podrizki dhe Ralf Merrill kanë bërë, nëpërmjet kombinimit të veprimeve të tyre, komplot, bashkëpunim dhe marrëveshje njëri me tjetrin, me persona të tjerë të njohur ose të panjohur për Jurinë e Madhe, për të bërë krime ndaj SHBA-ve, të cilat janë:

a) Në kundërshtim me ligjet e Ushtrisë Amerikane ata kanë bërë me ndërgjegje të plotë futjen e materialeve false, deklarime false dhe përfaqësime false.

b) Me një faturë si i prokuruar nga Shtetet e Bashkuara, ku vlera e prokurës ishte një milion dollarë, ata ngritën një skemë me qëllim që:

b/1. Të vidhnin dhe të dëmtonin Agjencinë ushtarake të Shteteve të Bashkuara.

b/2. Të përfitonin para nëpërmjet deklarimeve, veprimeve dhe skemave false në shkelje të dispozitave të SHBA-ve.

3. Qëllimi i katër të pandehurve ishte të pasuronin veten e tyre duke u avantazhuar nga deklarimet dhe veprimet e tyre false, që konsistonin në manipulimin e provave që fshihnin origjinën kineze të këtyre municioneve.

4. Modalitetet dhe skema e abuzimit dhe komplotit funksiononte si më poshtë:

a) Katër të pandehurit fituan të drejtën për furnizimin me municione për Afganistanin.

b) Për të nxjerrë përfitime katër të pandehurit bënë kërkime dhe veprime për të siguruar municion të prodhuar në Kinë.

c) Për çdo dërgesë i pandehuri Diveroli paraqiste një certifikatë false, me të cilën hiqej sikur municionet ishin konform ligjeve dhe kontratës.

d) Për çdo dërgesë Diveroli siguronte certifikatë sikur këto municione ishin prodhuar nga “MEICO” në Shqipëri.

5. Pas disa dërgesave me anije Diveroli është paraqitur në selinë e Ushtrisë Amerikane duke kërkuar pagesat që i takonin në bazë të kontratës, e cila nuk parashikonte këto lloj municionesh. Ndërkohë që në datën 20 prill 2007, Aleksandër Podrizki i dërgoi një e-mail, ku tregoheshin dhe foto municionesh me etiketa kineze.

6. Në të njëjtën ditë Dejvid Pakauz i dërgon një përgjigje Podrizkit, duke i thënë se duhej të hiqte stampat kineze, pasi municionet me etiketat kineze do t’i kishin hapur telashe dhe nuk do të pranoheshin.

7. Rreth 20 prillit 2007, Efraim Diveroli i dërgoi një mesazh elektronik Departamentit të Shtetit, me anë të të cilit i kërkonte mendim nëse një firmë e prokuruar nga SHBA-të mund të kryente transport të municioneve të ndryshme të prodhuara në Kinë.

8. Rreth 23 prillit të vitit 2007, Aleksandër Podrizki i dërgoi një mesazh elektronik Dejvid Pakauzit, në të cilin Podrizki pohonte se kishte folur me zyrtarët e “MEICO”-s, ku këta të fundit i kishin thënë se ishin në pritje të përgjigjes nga Departamenti i Shtetit lidhur me lëvrimin e municioneve kineze. Nëse nuk do të aprovohej nga Departamenti, zyrtarët e “MEICO”-s ishin shprehur se do ta rregullonin këtë punë duke trukuar me bojë metalet e municioneve.

9. Më 23 prill 2007 Efraim Diveroli, me anë të komunikimit elektronik, e pyeti Departamentin e Shtetit nëse një firmë e prokuruar amerikane mund të blinte municione kineze, që kishin më shumë se 20 vite që ishin në pronësi të shtetit shqiptar.

10. Në një komunikim elektronik Diveroli i tha Dejvid Pakauzit se ky veprim nuk ishte autorizuar, ndërsa Pakauz ia kaloi dhe Podrizkit atë që Diveroli i kishte shkruar.

11. Në datën 23 prill 2007, Diveroli i dërgoi një mesazh elektronik Departamentit të Shtetit, ku këmbëngulte se firma e tij duhej të kishte të drejtën të blinte municione në një vend mik si Shqipëria.

12. Më 24 prill 2007, në një tjetër komunikim, Diveroli i shkruante Departamentit të Shtetit se do respektonte përgjigjen mohuese lidhur me kërkesën e tij.

13. Më 24 prill 2007 Diveroli i dërgon një mesazh elektronik Ralf Merrilit, ku i thoshte se kërkesa e tyre mund të aprovohej vetëm me urdhër të Presidentit të SHBA-ve, pasi ta propozonte Këshilli i Sigurisë Kombëtare.

14. Rreth 25 prillit të vitit 2007, Ralf Merrilli u dërgon një mesazh elektronik Diverolit dhe Dejvid Pakauzit, ku ndër të tjera i shpjegonte se si ”pastroheshin kutitë e drurit”, ndërsa në një foto bashkëlidhur mesazhit ishte një kuti druri në të cilën shkruhej ”Made in China”.

15. Më 6 maj 2007, Ralf Merrilli, në emër të “AEY”-së, dërgoi një mesazh elektronik ku kërkonte që të negociohej një çmim më i lirë për shkak të kostos së transportit, origjinës së municioneve dhe ripaketimit. Mesazhi iu dërgua dhe Efraim Diverolit dhe Dejdvid Pakauzit.

16. Më 23 maj të vitit 2007, Efraim Diveroli udhëtoi për në Tiranë, Shqipëri.

17. Më 26 maj 2007, Diveroli i dërgoi një mesazh elektronik Dejvid Pakauzit dhe Ralf Merrillit, ku i thoshte se një çmim më i arsyeshëm ishte mundur të sigurohej.

18. Më 28 qershor 2007 Diveroli siguroi një certifikatë false sikur municionet e servirura ishin konform kontratës dhe se ishin prodhuar në Shqipëri.

19. Rreth 31 tetorit të vitit 2007, në një certifikatë konformiteti, Efraim Diveroli i paraqitej në emër të “AEY”-së si një ekzekutues korrekt i kontratës, duke shkelur në mënyrë të hapur ligjin e Titullit të 18 seksioni 37/1 për mashtrim ndaj agjencive federale.

NUMËR 2
1. Paragrafët nga 1-10 të konsiderimeve të përgjithshme janë analizuar dhe konsideruar si më poshtë:

2. Duke marrë shkas në zhvillimet dhe veprimet e mësipërme të ndjekura nga të pandehurit si pasojë e kontratës që siguroi firma që ata përfaqësonin, kuptohet qartësisht se ata kanë mashtruar, kanë falsifikuar dhe kanë kryer veprime në dëm të Shteteve të Bashkuara dhe në shkelje të ligjeve federale. Është e qartë se pretendimet e tyre për municione të rregullta janë të pavërteta dhe se katër të pandehurit kishin dijeni dhe informacion mëse të plotë se municionet nuk prodhoheshin në Shqipëri, por ato kishin një origjinë kineze.

3. Ishte në qëllimin e komplotit të organizuar nga katër të pandehurit për të fshehur dhe manipuluar origjinën kineze të municioneve dhe për të paraqitur të dhëna false lidhur me municionin e paligjshëm që ata kanë administruar.

4. Paragrafi i katërt i kapitullit numër 1 është konsideruar si një përshkrim i plotë i skemës së përdorur nga katër të pandehurit për të arritur qëllimet e tyre.

5. Bazuar në datat dhe të dhënat e sqaruara më lart, katër të pandehurit në Majami Ded Kounty, në distriktin jugor të Floridës dhe në të tjera vende, kanë kryer shkelje, falsifikime, mashtrime dhe vjedhje me ndërgjegje dhe dijeni të plotë kundër Shteteve të Bashkuara. Kjo vjedhje e shkaktuar përshkruhet sipas listës së kontratë-pagesave që i bashkëlidhet këtij materiali.

Aleksandër Akosta
(Prokuror i SHBA-ve)

Xhejms Koukios
(Zv.prokuror i SHBA-ve)

Eloiza Fernandez
(Zv.prokuror i SHBA-ve)

27 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›