E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestimi i Karaxhiç, Tadiç e të tjerët kërcënohen me jetë

Arrestimi i të shumëkërkuarit Radovan Karaxhiç ka hapur probleme për krerët pro evropianë të Serbisë. 

Përveç përballjes me protestat e përditshme kundër ekstradimit të tij, po përballen edhe me kërcënime serioze për jetën. Ata lëvizin tani në kushte të larta sigurie. Elita qeveritare e Beogradit është vënë në alarm. Kërcënimi i hapur ka ardhur nga ekstremistët e Partisë radikale serbe dhe kërcënon se do t'u japë fund jetës së Presidentit Boris Tadiç, dhe disa krerëve të mediave që kanë raportuar ashpër mbi arrestimin e ish-liderit serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiç. "Ne paralajmërojmë Tadiç se, tradhtia nuk ka kaluar kurrë pa u ndëshkuar në Serbi. Ky nuk është një kërcënim, por një paralajmërim për të kujtuar fatin që ka ndjekur tradhtarët në historinë serbe... Unë po përmend ligjvënësit aktualë dhe i kujtoj ata se, nuk do të mund të jenë me aq fat sa Zoran Gjingjiç. Zoti i ndëshkon gjeneratat e ardhshme, dhe ata duhet ta kenë parasysh këtë", tha Vjerica Radeka i Partisë Radikale Serbe. Sipas raportimit të agjencisë së lajmeve "Blic", Zoran Gjingjiç, kryeministri i ndjerë reformist në Serbi, i famshëm që mundësoi ekstradimin e ish-liderit nacionalit serb, kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç në Hagë, u vra në Beograd në vitin 2003. Kërcënime të shkruara në letër kanë marrë edhe disa zyrtarë të tjerë të lartë në Beograd gjatë ditëve të fundit, përfshirë kryetarin e Këshillit për Bashkëpunimin me Hagën, Rasim Ljajiç dhe liderin e Prokurorisë së Krimeve të Luftës, Vladimir Vukceviç, ka raportuar media në Beograd. Policia ka reaguar ndaj këtyre kërcënimeve, duke rritur në maksimum nivelin e sigurisë rreth të gjithë zyrtarëve të lartë serbë. Radikali Radeka ka përfshirë edhe kishën Ortodokse në këtë çmenduri, duke i bërë thirrje institucionit fetar të dënojë tradhtarët. Lista radikale e tradhtarëve përveç krerëve të shtetit përfshin televizionin shtetëror "Radio Television Serbia, RTS", dhe agjencinë e pavarur të lajmeve B92, raportimet e të cilave i ishin ngjitur protestave të së enjtes kundër arrestimit të Karaxhiç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›