E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdeci, gabim analizat e ndotjes

Instituti i Shëndetit Publik ka analizuar dy elementë të gabuar, që nuk kanë lidhje me shpërthimin e ndodhur në Gërdec në momentin kur verifikoi ndotjen e ambientit të shkaktuar nga tragjedia e 15 marsit. 

 Një konfirmim i tillë është bërë publik ditën e djeshme në kohën, kur kanë mbërritur analizat e para nga Italia për kontaminimin e tokës në rajonin e Gërdecit. Specialistët e shëndetit kanë pohuar se, zona 800 metra larg kraterit të shpërthimit, nuk është e ndotur. Analizat për këtë konstatim janë bërë për dy elementë kimikë që dalin nga shpërbërja e barutit. Sipas mjekëve, këto elementë sjellin rrezikun e sëmundjeve kancerogjene. Analizat e mëparshme për ndotjen në rajonin ku ndodhi shpërthimi, ishin bazuar në elementë të gabuara të marra nga ekspertët në terren. Për shkak se elementet e analizuara kanë qenë të gabuar, edhe rezultati i tyre pritet të mos merret në konsideratë. Kimistët theksojnë se, matjet dhe verifikimet duhet të bëhen lidhur me metalet e rënda si mërkuri, bakri apo plumbi, të cilët sipas specialistëve, janë të pranishëm dhe paraqesin rrezik serioz për banorët e zonës së Gërdecit. Vetëm duke analizuar elementët e metaleve, sipas specialistëve mund të arrihet në një përfundim nëse banorët mund të kthehen në zonë, apo një gjë e tillë paraqet rrezik për shëndetin e tyre. Fenomeni i ndotjes së Gërdecit është shoqëruar me variante të ndryshme lidhur me shkallën e rrezikshmërisë. Ambasadori amerikan i këshilloi banorët e zonës të mos kthehen në vendbanimet e tyre të mëparshme, pasi një gjë e tillë paraqet rrezik ndërsa disa prej qytetarëve që kanë shtëpitë në zonë, janë rikthyer tashmë. Mirëpo analizat që e nxjerrin të banueshme zonën deri 800 pranë kraterit, duket se janë bazuar mbi elementë dhe mostra të gabuara të marra në terrenin ku ndodhën shpërthimet tragjike.  
Hetimi i tragjedisë
Tri ditë më parë, Prokuroria e Përgjithshme u komunikoi tre të arrestuarve për tragjedinë e Gërdecit, akuzën e re për vrasje në rrethana të cilësuara. Ylli Pinari, ish-drejtor i ndërmarrjes MEICO, Mihal Delijorgji, pronar i punishtes së çmontimit të predhave dhe Dritan Minxolli, drejtor i fabrikës, u morën të pandehur për krimin e vrasjes masive në Gërdec me shkaktimin e vdekjes së 26 personave. Gjatë komunikimit të akuzave në dhomën e takimeve në burgun 313 në Tiranë, tre të akuzuarit dhe avokatët e tyre kanë mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzave. Sipas burimeve nga hetimi, tre të arrestuarit kanë pohuar se nuk kishin kryer asnjë veprim direkt që të shkaktonte shpërthimin dhe se gjithçka ka qenë aksidentale. Ish-drejtorit të ndërmarrjes MEICO, Ylli Pinari, Prokuroria i komunikoi edhe akuzën e "shpërdorimit të detyrës" në procesin e shitjes së municioneve për çmontim, nënshkrimit të kontratës dhe mbikëqyrjes së kushteve të sigurisë në punishten e Gërdecit. Sipas Prokurorisë, drejtuesi i MEICO ka nënshkruar kontratë e më pas ka shitur municione për çmontim tek një subjekt i palicencuar për këtë aktivitet, si dhe pa verifikuar nëse Delijorgji kishte pajisjet e duhura për të shmangur ngjarjet e jashtëzakonshme që mund të vinin në rrezik jetën e punëtorëve dhe të popullatës. Shpërdorimi i detyrës nga Ylli Pinari, sipas Prokurorisë, qëndron edhe në faktin se ai nuk është kujdesur për verifikimin e kushteve të sigurisë, në të cilat bëhej çmontimi i predhave të kalibrit të rëndë dhe fishekëve të armatimit të lehtë. Tragjedia e Gërdecit shkaktoi vdekjen e 26 personave, si dhe plagosjen e më shumë se 30 të tjerëve.                 tr.so     

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›