E Shtunë, 31 Tetor 2026

Remzi Hoxha, dëshmia e gruas dhe e djalit

Sefdije dhe Ardian Hoxha, bashkëshortja dhe djali i madh i tregtarit shqiptaro-maqedonas Rem-zi Hoxha, të zhdukur pas rrëmbimit nga SHIK në vitin 1995, dëshmuan dje te Krimet e Rënda. 

Fatos Mahmutaj

  Në procesin, ku të pandehur ndodhen Arben Sefgjini, ish-drejtori i SHIK për degën e Tiranës, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve; Ilir Kumbaro ish-drejtor i SHIK në drejtorinë qendrore; dhe Avni Koldashi ish-shef i bazës së vëzhgimit nën akuzën "rrëmbim me pasojë vdekjen".
Dëshmitë e tyre, të konsideruara të rëndësishme për këtë proces po i botojmë të plota. Në fillim të muajit shtator gjykata do marrë dëshmitë e viktimës tjetër të SHIK në këtë proces, Ziso Kristopulli. 
Dëshmia e Sefdije Hoxhës:
Dëshmitarja Sefdije Hoxha: Atë ditë që rrëmbyen bashkëshortin tim nuk isha në shtëpi. Më kishte ardhur motra nga Shkupi dhe kishim dalë bashkë. Në shtëpi ishin vetëm fëmijët. Remziu dërgoi djalin në shkollë dhe nuk u kthye. Bashkë me motrën ishim te një shok i burrit dhe po prisnim Remziun të vinte të na merrte me makinë. Ai nuk erdhi se e kishin rrëmbyer.
Gjykata: Kush e kishte rrëmbyer?
Dëshmitarja: Juve e dini mirë se kush e rrëmbeu.
Gjykata: Jo nuk e dimë, ndaj ju kemi thirrur juve që ta mësojmë. Vazhdoni më tej.
Dëshmitarja: Erdhi një kontabilist i biznesit tonë dhe na tha që Remziu ka shkuar në Shkodër për një punë dhe sonte nuk kthehet. Më pas në shtëpi erdhi dhe gruaja e kontabilistit dhe nisi me të qara. Unë dhe ime motër deri ato momente nuk dinim gjë dhe nisëm të qanim edhe neve. Nuk u kthye më as pas dy ditësh, as tani që u bënë vite.
Pas zhdukjes së tim shoqi kontaktova me vjehrrin e vajzës së hallës. Ai më tha të shkonim në spital. Mendova të shkonim për ndonjë familjar të tij, dhe i thashë që kam pesë fëmijë të mitur e nuk mund të vija. Aty kuptova se Remziut i kishte ndodhur diçka e keqe dhe duhet të shkonim në spital. Në këtë kohë ndërsa fëmijët po qanin, ai më tha: Sefdije bëhu e fortë se Remziun e kanë rrëmbyer, nuk e dimë nëse e ka rrëmbyer mafia apo policia. Shkova në polici pas dy ditësh. Një polic që më priti te dera më tha duke u tallur: "Mos kërkon Remzi Hoxhën, atë me mjekër? Lëre mo atë, ç'të duhet ai, gjej një tjetër". Me këmbënguljen tonë, më morën denoncimin. Aty na thanë se, ishin në dijeni të rrëmbimit. "Ktheu në shtëpi dhe rri e qetë", më thanë në polici. U ktheva si e çmendur. Gjatë gjithë kohës qaja.
I çova telegram, Presidentit të atëhershëm Sali Berisha. Na ktheu përgjigje që për shqetësimin tonë të merrnim përgjigje në SHIK. I kërkuam takim Berishës dhe na priti vetëm këshilltari i tij. I dërguam telegram SHIK-ut dhe ata na u përgjigjen se ndoshta Remziun e kanë vrarë serbët. Kemi takuar edhe vjehrrin e Sali Berishës dhe bashkëshorten e tij. Na premtuan se do interesoheshin ata. Vjehrri i Berishës na pohoi që Remziu është gjallë dhe se në të vazhdojmë punën dhe fëmijët të shkojnë në shkollë. Na tha që Remziu kishte bërë diçka të keqe dhe po vuante dënimin. Unë nuk e kam njohur kurrë Remziun si njeri të keq. Më pas takuam edhe Rustem Gjatën. Nuk duam dëmshpërblim as hakmarrje, jemi shqiptarë. Kam pesë fëmijë dhe vetë e di si i kam rritur. Duam vetëm trupin e tij, apo qoftë edhe një shenjë nga ai.
Prokurori: I keni dërguar telegram Bashkim Gazidedes më 23 tetor 1995. Po Agron Musarait?
Dëshmitarja: Për Musarain nuk e mbaj mend përgjigjen. Gazidedes i dërguam dhe ai nuk u përgjigj. Më pas me ndërhyrje të shumta kunati im e takoi atë. I kemi shkruar edhe Ibrahim Rugovës, Adem Demaçit dhe Fehmi Aganit. Demaçi na tha që ta linim kërkimin për Remziun.
Prokurori: Ku jetonit para se të vinit në Tiranë?
Dëshmitarja: Unë dhe fëmijët nuk kishim veçse pak kohë që kishim ardhur nga Prishtina ku jetuam 10 vjet, ndërsa origjina jonë ishte nga Shkupi, ku kishim jetuar katër vjet. Burri im ishte aktivist antiserb. Për këtë shkak shpeshherë unë dhe fëmijët binim pre e sulmeve serbe. Na kanë sulmuar dhjetëra herë me gurë. Im shoq u vendos në Tiranë në vitin 1991. Ai kishte edhe një sindikatë. Unë dhe fëmijët erdhëm në shtator të 1995. Kur rrëmbyen Remziun djali i madh ishte në vit të parë në kolegjin turk, ndërsa fëmija i vogël në klasë të parë. Qëndruam në Shqipëri deri në Vitin e Ri. Kemi bërë shumë shpenzime për ta gjetur Remziun. Na kanë mashtruar shumë herë. Disa na thoshin që ndodhej në spital psikiatrik dhe se Remziu flet përçart. Burri im nuk ka pasur konflikt me askënd. Nuk ka pasur as borxhe. "Rilindja" që na ka pasur ca para borxh, na i dha.
Prokurori: A e njihte Remziu Avdyl Loshajn?
Dëshmitarja: Nuk e di ta njihte. Remziu i strehonte të gjithë. 20 ishin punëtorë. Të gjithëve u bënte mirë.
Prokurori: Po kush e ka rrëmbyer?
Dëshmitarja: SHIK.
Prokurori: Çfarë kërkoni tani?
Dëshmitarja: Një gisht, një send të atij, çfarëdolloj qoftë.
Avokati i Sefgjinit: Keni dhënë deklarime në Prokurori për punë borxhesh?
Dëshmitarja: Po. Ka ardhur një grua dhe na ka kërkuar ca para që mund t'ia kishte Remziu borxh për qiranë. Nja 450 dollarë. Ia dhamë.
Avokati: Arben Sefgjinin e njihni?
Dëshmitarja: Jo.
Gjykata: Ku ishte punishtja?
Dëshmitarja: Në rrugën "Siri Kodra". Remziu merrej me duralumin. Pas rrëmbimit të Remziut shkova vetë në fabrikë. Nuk mbaj mend se kë takova. Njoh një punëtore që quhej Leta, një Astrit Sula, Gerti, i biri i tij, me të cilët hynim e dilnim. Një plak që i kishim blerë ca tokë në autostradë na ndiqte nga pas. Nuk e kuptoja përse pasi lekët ia kishim dhënë të gjitha. Astrit Sula na tha se kishte qenë prezent kur kishin rrëmbyer Remziun. Ai tha: "Ruhu se po të marrin edhe ty". Et'hem dhe Avdyl Hoxha, kunetërit e mi erdhën pas një dite. Në fabrikë shkova me fëmijët.
Dëshmia e Ardian Hoxhës
Dëshmitari Ardian Hoxha: Quhem Ardian Hoxha, jam i biri i Remzi Hoxhës. Ai është rrëmbyer më datë 21 tetor 1995, ditë e shtunë rreth orës 13:30. Është marrë nga persona shtetërorë. Ishin nëntë persona dhe tre makina. Mjeti në të cilën hipën atë kishte targë TR 2449 C. Këto të dhëna na i dhanë familjarët dhe punëtorët. Ata na thanë që është rrëmbyer nga SHIK. Kjo rezultoi edhe më pas, si dhe nga informatat që kemi marrë nga mediat dhe ato që kemi siguruar vetë. Kishim ardhur nga mesi i shtatorit 1995 në Tiranë. Kur më rrëmbyen babin kisha vetëm pesë ditë që kisha nisur shkollën. Ai më çonte në shkollë me makinë. Të shtunën isha në shtëpi. Astrit Sula na tha që babi kishte shkuar për një punë në Shkodër dhe nuk kthehej atë natë. Shkuam më pas te vjehrri i vajzës së hallës ai na tha që, babin na i kishin marrë për verifikim personi dhe na tha që do mbahej 24 deri 48 orë. Pritëm edhe një ditë tjetër me shpresën se po lirohej, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Pasi kishin marrë babin te punishtja e duralumineve, njëra nga makinat ishte kthyer dhe kishte kontrolluar makinën e tij ku kishte marrë dy paketa cigare.
Prokurori: Keni bërë përpjekje për gjetjen e babait tuaj?
Dëshmitari: Po. I jemi drejtuar Presidentit Sali Berisha, kreut të SHIK Bashkim Gazidede. Ky nuk na ka pranuar kurrë. Xhaxhai im i gjeti një mik të afërt. Gazidede i tha atij mikut tonë, në prani të xhaxhait tim se: "Mos pyet për Remzi Hoxhën, nuk është punë për ty". Më pas takuam Pjetër Arbnorin, Ali Spahinë, iu drejtuam Avokatit të Popullit, Fatos Klosit etj. Pastaj na u afruan individë të ndryshëm, të cilët turbullonin punët. Kishte edhe mashtrues që kërkonin të përfitonin. Ka qenë një njëri i tillë. I quajtur Nexhmedin Hoxha. Ky tha që vëllai juaj do lirohet, po më jepni një 'kafe'. Pasi i dhamë "kafen", pritëm më kot në ankth dhe emocion, por ai nuk është liruar kurrë.
Prokurori: Çfarë dini për aktivitetin e Remzi Hoxhës në Kosovë?
Dëshmitari: Ne si fëmijë kemi ditur pak. Dimë që ishte patriot dhe që merrej me çështjen kombëtare. Kishte themeluar sindikatën e zejtarisë dhe ekonomisë në Ferizaj, aktiviteti i së cilës në fakt ishte çështja kombëtare. Degë të kësaj shoqate kishte në Kosovë, Mal të Zi, Shkup dhe Serbinë Jugore, Preshevë. Aktiviteti kombëtar konsistonte në ndihmën e rreth 800 familjeve në Kosovë, ndihma në fushën e arsimit, shëndetësisë etj. Im atë ka ndihmuar mjaft të sëmurë të kuroheshin jashtë shtetit. Remzi Hoxha ka ndihmuar UÇK-në, atë që më pas do të luftonte kundër pushtuesve serbë.
Avokati i Sefgjinit: Sa vjeç ishit kur ju rrëmbyen babanë?
Dëshmitari: 14 vjeç. Disa nga këto që thashë i kam përjetuar vetë, disa i kam dëgjuar nga familjarët dhe të afërmit. Që pas rrëmbimit të babait, mjaft njerëz na janë ofruar për të na marrë para. Në familjen tonë mbanim mbledhje vazhdimisht dhe emrat e Arben Sefgjinit, Bashkim Gazidedes dhe Ilir Kumbaros i kemi në listën tonë të familjes. Me këta të merret shteti. Kohë më vonë, pas rrëmbimit një person na pohoi se, dinte eshtrat e babait. Ai na kërkoi para. I dhamë gjysmat e parave dhe ai na solli një qese me eshtra. I thamë që gjysmën tjetër do i merrte pas verifikimit, por ai u zhduk.
Avokati i Kumbaros: E njihni Ilir Kumbaron?
Dëshmitari: Nuk e njoh Ilir Kumbaron, nuk e kam takuar kurrë. Në listën tonë kemi 2000 emra.
Gjykata: Njihni ndonjë person që ka rrëmbyer babanë tuaj?
Dëshmitari: Po. Njëri prej tyre kishte një defekt trupor, çalonte. Punëtorët kanë bërë denoncim te Komisariati numër 3 i policisë. Ne kemi në shtëpi deklaratat e tyre për rrëmbimin. Njerëz të shumtë na kërkonin lekë pas zhdukjes me pretendimin se gjoja do ta gjenin. Por kishte edhe njerëz të mirë që na ndihmuan falas. Ne si familje duam vetëm trupin. Të ketë një varr për Remzi Hoxhën se, ka qenë një person i rëndësishëm. Mbi të gjitha, bëhet fjalë për një njeri. Në Ferizaj një rrugë mban emrin "Remzi Hoxha". Të paktën të varroset siç u ka hije shqiptarëve.
Avokati i Sefgjinit: Folët për një listë me emra, mund të na i thoni?
Dëshmitari: Ju avokat i njihni mirë ligjet shqiptare, ndërkombëtare dhe Kanunin. Kemi dhënë besën dhe ca emra nuk përmenden. Kemi pas kontradikta të vazhdueshme me serbët. Në Maqedoni nuk na kanë lënë rehat. Dimë që Remzi Hoxhën e ka vrarë shteti shqiptar. 

Sefgjini e Kumbaro, në listën e familjes Hoxha

TIRANE - Ardian Hoxha, djali i Remzi Hoxhës, pohon se nuk i njeh Arben Sefgjinin dhe Ilir Kumbaron, dy të akuzuarit kryesorë të procesit që po zhvillohet te Krimet e Rënda. Por më tej, ai pohon se emrat e tyre tashmë ndodhen në listën me 2000 emra, që familja e tij ka përpiluar gjatë viteve me personat, që mund të kishin dijeni apo që ishin përfshirë në rrëmbimin dhe zhdukjen e të atit. Djali, tashmë 27-vjeçar, pohoi se për shumë vite me radhë atij dhe familjes së tij u është dashur të përballet me personazhe të shumtë të politikës shqiptare të para vitit 1997, ku ka gjetur indiferencën dhe në mjaft raste edhe dezinformim prej tyre. Hoxha pohoi se nuk kërkonte asgjë nga shteti shqiptar dhe nga ky proces, veç trupit të atit apo qoftë edhe të ndonjë shenje të tij, për të vetmen arsye, që t'iu jepej mundësia t'i bënin nderimet e fundit. Fjalia e fundit që artikuloi në dëshminë  e tij 27-vjeçari ishte: "Dimë që Remzi Hoxhën e kanë vrarë njerëz të shtetit shqiptar".                                               f.m.      

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›