E Diel, 1 Nëntor 2026

“Arrestimi i Kurtit, frikë nga pjesëmarrja jonë në zgjedhje”



Aktivistët e “Vetëvendosjes” kanë paralajmëruar protesta masive më 21 qershor për të kundërshtuar arrestimin e liderit të tyre, Albin Kurti dhe kanë akuzuar për dhunë Kryeministrin Thaçi, përfaqësuesin e BE-së, Feith dhe kreun e EULEX-it, Kermabon. Lëvizja e ka cilësuar arrestimin e liderit të saj, Albin Kurti, si shprehje e frikës së pushtetit aktual në Kosovë, pas vendimit që kjo lëvizje të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme. “Vetëvendosje” e vlerësoi arrestimin si proces të montuar politik, duke thirrur në protestë për lirimin e Kurtit në ditën e fillimit të gjykimit ndaj tij. 175 mijë nënshkruesit e peticionit për lirimin e Albin Kurtit nga procesi gjyqësor, që më 21 qershor, kur është paralajmëruar fillimi i gjykimit, janë ftuar të dalin dhe të protestojnë për të kërkuar ndërprerjen e procesit dhe lirimin e tij pa kushte. Një nga aktivistët e “Vetëvendosjes”, Liburn Aliu, tha gjatë një konference për media se pushteti aktual, përfshirë edhe praninë ndërkombëtare, në vend që të luftojnë krimin e organizuar dhe strukturat ilegale të pushtetit në veri, po luftojnë organizimin popullor. “Natyra e veprimit të pushtetit të sotëm ndaj veprimtarëve politike e ka sjellë situatën deri këtu ku është dhe kjo frymë e përgjithshme do të çojë në turpe të tjera që do të ndodhin vazhdimisht në shoqërinë tonë. Këto turpe mund të ndalen vetëm me një reagim qytetar”, tha Aliu. Aktivisti tjetër, Glauk Konjufca, tha se pushteti i korruptuar në Kosovë po mban në jetë strukturat paralele në veri, si dhe po tregon paaftësi në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Për ndërhyrjen brutale dhe aq të dhunshme të njësisë speciale të Policisë së Kosovës, Lëvizja ‘Vetëvendosje’ bën për përgjegjës kreun e Qeverisë, Hashim Thaçi, shefin e EULEX-it, Iv de Kermabo dhe Përfaqësuesin Special të BE-së, Piter Feith”, tha ai. “Tani që lëvizja jonë e shpalli vendimin lidhur me pjesëmarrjen tonë edhe në zgjedhje, interesi i krerëve politikë të Kosovës për persekutimin e Albin Kurtit është bërë edhe më i drejtpërdrejtë dhe më i dhunshëm, ashtu sikurse u pa gjatë ndërhyrjes çnjerëzore të policisë dje”, theksoi Konjufca.

Deklarata e Haradinaj
Kryetari i AAK, Ramush Haradinaj, e komentoi vendimin e Lëvizjes “Vetëvendosje” për t’u përfshirë në jetën politike si legjitim, ndërsa për arrestimin e liderit të “Vetëvendosjes” Albin Kurti, tha se ashtu siç i ka të drejtat e veta Kurti për të protestuar, ashtu i ka edhe policia të drejtat për të ushtruar funksionin e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›