Pas aksidentit, një vajzë 3-vjeçare nga Kina nis duhanin dhe birrat
Një vajzë trevjeçare kineze, Ya Uen, pasi pësoi një aksident ka nisur çuditërisht të pijë cigare dhe birra. “Vajza pi një paketë cigare në ditë pasi u godit nga një furgon që po ecte me shpejtësi dhe qëndroi për pesë ditë në koma”, thanë prindërit e saj për gazetën kineze, “Yangcheng Evening Post”. “Asaj i pëlqen të pijë”, tha nëna e saj, Gao Uen, duke shtuar se “Tri gota birrë nuk janë problem për të”. Gao Uen u shpreh se personaliteti i vajzës së saj ka ndryshuar në mënyrë dramatike dhe ajo ka filluar të sillet si një e rritur menjëherë pas largimit nga spitali. Në fillim atë e kishin kapur duke pirë fshehurazi cigaret e të atit në banjë. Pastaj ajo nisi t’i vjedhë cigaret në një dyqan derisa e kapi pronari i tij. “Hera e parë që e kam zbuluar se pinte duhan ishte në tualet, - tha nëna e saj. - Unë shpesh shihja bishta cigaresh në tualet, por kisha menduar se ishin të burrit tim, deri sa e pashë vajzën time vetë atje duke pirë cigare”, shtoi ajo. Pronari i dyqanit tha se ai mendonte se vajza i merrte cigaret për të atin, ajo kishte arritur të merrte edhe dy paketa në ditë. Familja jeton në një shtëpi-kasolle në Huizhou, Kinë dhe mbledh e shet mbeturina në këmbim të parave. Babai i Ya Uen e la cigaren për t’i dhënë një shembull të mirë vajzës së tij, por ajo ende qan për to. Gjatë aksidentit vajza ishte vrarë në kokë. Një mjek në spitalin e Huizhout shpjegoi se “Njerëzit mund të pësojnë ndryshime personaliteti nëse dëmtojnë trurin”.