Konkursi i fotografisë “Sotiri” dhe frika jonë
Eleni Laperi
Ditën e shtunë, në galerinë “Guri Madhi” në qytetin e Korçës u hap ekspozita e Konkursit Ndërkombëtar për Fotografë të rinj, që mban emrin e “Kristaq Sotirit”. është viti i tretë që qendra kulturore “Lindart”, në bashkëpunim me Bashkinë e Korçës organizojnë këtë konkurs, që mban emrin e artistit korçar të shkrimit me dritë. Sipas Fransua Sheval, drejtor i muzeut “Nisefor Nieps” në Francë, Sotiri ishte mjeshtër në kapjen e çastit të duhur dhe në kompozimin e ngjarjeve dhe portreteve të njerëzve të qytetit të tij, që ai i njihte mirë... Portrete që i jepnin Sotirit mundësinë të përdorte ‘piktoralizmin’, gjë që e bën koleksionin, që ai na ka lënë, një gjë të rrallë...’ për trashëgiminë në fushën e fotografisë shqiptare.
Ndonëse mban emrin e këtij mjeshtri të traditës shqiptare të fotografisë, autorët që marrin pjesë në konkursin ‘Sotiri’ janë të gjithë të rinj dhe natyrisht edhe fotografitë e projekteve të tyre flasin me një gjuhë vizive krejt tjetër. Autorët e rinj nuk kufizohen vetëm në fiksimin e një portreti apo të një peizazhi. Portretet, natyra, sendet, ngjarjet ata i vënë në qendër të objektivit të tyre, sepse duan të thonë mendimin e tyre për atë që shohin, dhe e shohin ndryshe nga shumë prej nesh. Sot është i qartë fakti se si fotografia plotësoi tekstin në procesin e të shprehurit të shoqërisë. Imazhet e fiksuara na rrethojnë dhe tanimë ne nuk e konceptojmë më dot botën pa to. Këtë vit ekspozita e çmimit “Sotiri”, titullohet ‘Përballja me frikën’ dhe kuratore e saj është fotografja e re serbe, që punon e jeton në Gjermani, Paula Muhr. Kuratorja i fton artistët e fotografisë të diskutojnë mbi një emocion bazë, i dallueshëm në të gjitha kulturat: frikën, mbi marrëdhënien midis ndjenjave subjektive dhe rregullave shoqërore në lidhje me të. Sipas Muhr fuqia, forma apo objekti i frikës formohen nga faktorë kulturorë dhe historikë. Frika është një nga mekanizmat më të rëndësishëm nëpërmjet të cilëve normat dhe strukturat shoqërore përcaktojnë strukturat psikologjike të secilit prej nesh. Gjuha dhe rregullat kulturore përcaktojnë mënyrën se si ne e përballim dhe shprehim frikën. Ajo jo vetëm që përfaqëson eksperiencën tone emocionale subjektive dhe e bën atë të dukshme edhe për të tjerët, po ndikon edhe drejtpërdrejt mbi ndjesinë tonë të frikës dhe e ndryshon atë.
Diskutime mbi frikën kanë rëndësi në marrëdhëniet shoqërore, pasi bëhen ndërmjetës midis subjektivitetit të individit dhe rregullave shoqërore. Ata janë të rëndësishëm sepse pasqyrojnë shpërndarjen e pushtetit në një strukturë shoqërore. Nxitja e frikës është një armë e fuqishme manipulimi. Politikanët, mediat shërbimet mjekësore dhe psikologjike, si dhe grupe të tjera interesi të fuqishme përfitojnë nga frika jonë.
Claudia Neuhaus në punën ‘Hapësirë e papërcaktuar’ merret me karakterin e natës, që na mbron nga drita e ditës, po errësira edhe na mbështjell me qetësinë e saj dhe na siguron hapësirë të lirë për të hulumtuar e zhvilluar mënyra të panjohura të të menduarit e të vepruarit. Erilda Selaj thotë me fotot e saj se ndjenja e klaustrofobisë, që secili prej nesh ndjen, lind nga ndalimi i atyre gjërave që duam apo na duhen, nga pengesat që nuk na lënë të lirë. Lia Chavez e sheh trupin si një material të papërpunuar që duhet rimodeluar dhe duhet gdhendur me anë të dritës dhe lëvizjeve, në një përpjekje për të ripërfytyruar kushtet në të cilat gjendet uni dhe trupi i gjithë shoqërisë. Ndërsa Stefanie Manns në fotot e saj shpreh vizualisht qëllimin për t’i treguar shikuesit problemet e emigrantëve, por pa iu ngjallur frikë për ardhjen e tyre në Europë, si bëjnë mediat, të cilat kanë krijuar ikona të emigracionit krejt ndryshe nga realiteti, duke përhapur frikë në banorët evropianë për të ardhurit e rinj. Kështu me radhë në fotot e ekspozitës shpalosen mendimet dhe gjykimet e artistëve për frikën në të gjitha mënyrat e shfaqjes së saj, duke shtyrë edhe publikun të mendojë e të reagojë. Megjithatë frika jo gjithnjë është e keqe, pasi ajo mund të jetë edhe e dobishme, se i shtyn njerëzit të jenë më të kujdesshëm në sjelljen e tyre, i nxit ata të ndryshojnë.