Arrestimi i Lazes, operacioni u iniciua nga forcat e Antidrogës italiane
Habjon Hasani
Shtatë muaj më parë, repartet speciale të Antidrogës italiane ofruan në Shqipëri të dhënat e para për një grup të strukturuar që shpërndante sasi të konsiderueshme heroine në Itali dhe që komandohej dhe furnizohej nga qyteti i Fierit. Në Itali ishin kapur në flagrancë katër shqiptarë, ndërsa italianët ofruan edhe disa përgjime që i lidhnin të arrestuarit me disa personazhe në qytetin e Fierit. Në këtë pikë hetimet u shtrinë në Fier dhe për pesë muaj me radhë u përgjuan një duzinë personash, mes të cilëve dhe Arben Prifti, i arrestuar 48 orë më parë, në kuadër të operacionit “Mesfushori”. Përgjimet nuk mjaftonin, pasi bisedat ishin të kodifikuara dhe të paqarta, ndërsa ajo që u duhej prokurorëve dhe agjentëve shqiptarë të Antidrogës, u erdhi kur u ndalua të martën në Divjakë Shkëlqim Hyzmës, të cilit iu gjet në bagazhin e mjetit që drejtonte dhe një sasi prej një kilogrami heroinë e pastër. Pasi u sigurua prova e pakundërshtueshme, arrestimi i “padronëve” të Hyzmës u kthye në çështje minutash.
Përgjimet
Pasi është arrestuar Hyzma mbrëmjen e së martës në Divjakë, për 24 orë oficerët e Policisë Gjyqësore dhe prokurorët kanë vlerësuar përgjimet mes vëllezërve Laze, Priftit dhe Hyzma për të parë nëse ekzistonin të dhënat e nevojshme për të bërë lidhjen mes tre personave të paarrestuar me shoferin Hyzma, të kapur në flagrancë me heroinë në bagazh. Pasi kanë paraqitur provat para gjykatësit, ky i fundit ka urdhëruar dhe fletë-arrestet për vëllezërit Laze dhe Arben Priftin. Sakaq, burime nga Policia e Shtetit kanë bërë të ditur se të dhënat në terren tregojnë se mund të bëhet fjalë për një aks të vjetër të trafikut të heroinës, i cili zhvillohet në itinerarin Turqi-Maqedoni- Tiranë-Elbasan-Korçë-Greqi, si dhe aksi i dytë, i cili është Tiranë-Fier-Itali. Gjatë këtij viti, por edhe gjatë vitit 2007, janë shënuar disa raste të trafikimit të heroinës përmes aksit Tiranë-Elbasan-Pogradec-Kapshticë dhe më pas drejt Greqisë. Me dhjetëra kilogramë drogë e llojit heroinë dhe kokainë është bllokuar dhe sekuestruar nga Policia e Shtetit dhe janë prangosur shumë persona në lidhje me këto tentativa të trafikut. Ekspertët e Policisë së Shtetit e përcaktuan këtë si një nga linjat më të përdorshme për trafikun e heroinës drejt Greqisë. Pas disa muajsh rishfaqet sërish rasti i trafikut të drogave të forta nga Korça në vendin fqinj.
Arresti
Arben Laze, president i ekipit të futbollit të Elbasanit, u arrestua mbrëmjen e së mërkurës në lokalin e tij. Bashkë me të është arrestuar edhe vëllai i tij, Fatjon Laze, pasi akuzohen për trafik ndërkombëtar droge. Arrestimet janë kryer nga Drejtoria e Antikrimit të Organizuar dhe operacioni është kryer në tre qytete të vendit, Elbasan Lushnjë dhe Fier. Së bashku me dy vëllezërit Laze janë arrestuar edhe dy persona të tjerë nga Fieri. Ata janë Arben Prifti dhe Shkëlqim Hyzma, të arrestuarit akuzohen për një organizatë kriminale dhe për trafik ndërkombëtar droge. Nga ana e policisë bëhet e ditur se të arrestuarit ishin nën hetim prej saj që prej 5 muajve. Gjithashtu bëhet e ditur se arrestimet janë kryer pas kapjes së Shkëlqim Hyzmës, i cili është kapur i pari me 1 kilogram drogë të tipi heroinë ditën e djeshme, në kthesën e Divjakës. Të dhënat paraprake të ofruara nga forcat e rendit flasin për një operacion, i cili ka pasur si qëllim goditjen e një linje të tërë të trafikimit të heroinës me origjinë Turqinë. Dje burimet policore kanë qenë tejet të rezervuara në dhënien e informacioneve lidhur me këtë arrestim, aq sa lajmi është bërë i ditur fillimisht nga dëshmitarë okularë që ishin ulur në lokalin në pronësi të Lazes, ku u krye dhe arrestimi.
26 Dhjetor 2008